Arthur Melon bën aksident në gjendje të dehur – pritet të shtyhet transferimi te Juventusi

  • S.A /
  • 18 August 2020 - 09:34
 Arthur Melon bën aksident në gjendje të dehur – pritet të shtyhet transferimi te Juventusi

Mesfushori në largim i Barcelonës, Arthur Melo, është akuzuar për vozitje në gjendje të dehur, pasi është përfshirë në një aksident në Girona mëngjesin e të hënës.

Sezoni i brazilianit përfundoi me kundërthënie, pasi refuzoi të kthehej në stërvitje që nga konfirmimi se do t’i bashkohej Juventusit, duke thënë se Blaugranët po e largonin kundër vullnetit të tij, prandaj nuk dëshironte të kthehej më. Koha e tij në Spanjë nuk do të përfundojë mirë, pasi sipas gazetës Diari de Girona, ai është akuzuar për vozitje në gjendje të dehur, pasi Ferrari i tij është përfshirë në një aksident të vogël komunikacioni. Autoritetet lokale kanë thënë se vetura e Arthur kishte dalë nga rruga dhe e kishte goditur një shtyllë drite. Pasi është konfirmuar se nuk ka të lënduar, i është bërë testi i alkoolit dhe është mësuar se në organizmin e tij kishte më tepër alkool nga sasia e lejuar.

Meqenëse akoma është me kontratë te Barcelona, ai pritet t’u nënshtrohet edhe procedurave tjera disiplinore nga klubi si pasojë e këtij incidenti, duke shtuar edhe hetimet pse ka refuzuar të paraqitet në stërvitje.

E gjitha kjo situatë mund ta shtyjë edhe më shumë transferimin te Juventusi që, sipas Sport, e kishte kërkuar lirimin e menjëhershëm nga Barca, por klubi spanjoll kishte refuzuar ta lejonte largimin e tij pa e ndëshkuar për veprimet që i ka bërë.

(Kosova Sot Online )