Lazio e tërbuar me Silvën: Ra në ujdi me klubin dhe pastaj u zhduk për t’iu bashkuar Sociedadit

  • S.A /
  • 18 August 2020 - 09:50
Lazio e tërbuar me Silvën: Ra në ujdi me klubin dhe pastaj u zhduk për t’iu bashkuar Sociedadit

Lazio është zemëruar me sjelljen e David Silvës, i cili thuhet se nuk e kishte marrë madje as mundin për t’i treguar se kishte vendosur t’i bashkohej Real Sociedad pavarësisht se ishte në bisedime me të.

Marrëveshja mes Silvës dhe Lazios ishte arritur javën e kaluar dhe vizitat mjekësore për të ishin caktuar në Romë. Mesfushorit spanjoll i ishte përgatitur një ofertë trivjeçare me pagë vjetore që arrinte shifrën 10 milionë euro duke përfshirë bonuset. Atij madje i ishte siguruar një shofer personal dhe përdorimi i një aeroplani privat.  

Sipas mediave italiane, mesfushori spanjoll nuk i ishte përgjigjur thirrjeve të drejtorit sportiv të Lazios, Igli Tares, në ditët e fundit dhe se atij ishte caktuar ultimatum për të vendosur.

Sipas Sky Sport Italia, Silva as që i kishte treguar Lazios se kishte nënshkruar marrëveshje me Real Sociedadin dhe gjiganti italian e mori vesh këtë vetëm pasi klubi i La Ligës e bëri zyrtare transferimin e tij në rrjetet sociale të hënën mbrëma.

Mungesa e respektit nga ana e Silvës e ka zemëruar Lazion, e cila mendonte se atij po i duhej kohë për t’u përshëndetur përfundimisht me Manchester City pas 10 vjetëve në këtë klub.

Në fund, 34-vjeçari e nënshkroi një marrëveshje më të shkurtër dhe më pak fitimprurëse me Real Sociedadin, duke e refuzuar Lazion që sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampionëve.

(Kosova Sot Online )