Prishtina pasi kthehet në shtëpi, do të testohet sërish për Covid-19

  • S.A /
  • 19 August 2020 - 08:54
Prishtina pasi kthehet në shtëpi, do të testohet sërish për Covid-19

FC Prishtina është kthyer në Kosovë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm dhe pritet t’i nënshtrohet testeve për koronavirus përsëri, e dëshpëruar pasi Gjibraltari nuk e lejoi zhvillimin e ndeshjes parakualifikuese për Ligën e Evropës kundër Lincoln Red Imps.

Tetë futbollistë të Prishtinës dolën pozitivë në testet për Covid-19 pas mbërritën në Gjibraltar vetëm disa orë para ndeshjes me Lincoln, e caktuar të luhej të martën në orën 18:00.Autoritetet e Gjibraltarit nuk e lejuan zhvillimin e ndeshjes dhe ajo u shty deri në një vendim përfundimtar të UEFA-s, që nënkupton se Prishtina rrezikon ta ketë fatin e Dritës, kampiones së Kosovës që për arsye të njëjta e humbi ndeshjen parakualifikuese për Ligën e Kampionëve me rezultat zyrtar 3:0.

Klubi bardhekaltër u kthye sot herët në mëngjes në kryeqytet dhe pritet të bëjë teste të reja për, siç thotë, t’i krahasuar me rezultatet e testeve të bëra në Gjibraltar.

Tri ditë para zbarkimit në këtë vend, Prishtina i kishte vetëm dy raste me Covid-19.

“Pas udhëtimit më se tre orësh me “charter”, skuadra ka mbërritur në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë” njoftoi klubi bardhekaltër në Facebook.

“Të gjithë futbollistët janë mirë, habit fakti që askush nuk ndjen simptoma. Andaj, nesër nga ora 9 në mëngjes skuadra sërish do të testohet në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës”.

(Kosova Sot Online )