Neymar rrezikon të pezullohet për finalen e Ligës së Kampionëve, e shkëmbeu fanellën me kundërshtarin

  • S.A /
  • 19 August 2020 - 11:24
Neymar rrezikon të pezullohet për finalen e Ligës së Kampionëve, e shkëmbeu fanellën me kundërshtarin

Tifozët e Paris Saint-Germain druhen se Neymar mund të pezullohet për ndeshjen finale në Ligën e Kampionëve të dielën, për shkak se e shkëmbeu fanellën në fushë me kundërshtarin e vet, pas fitores kundër RB Leipzig të martën.

Superylli brazilian u pa duke e shkëmbyer fanellën me mbrojtësin e Leipzig, Marcel Halstenberg, pas përfundimit të ndeshjes gjysmëfinale në Lisbonë.

Shkëmbimi i fanellave pas ndeshjes është traditë në futboll, por UEFA këshillon tani për tani që një gjë e tillë të mos bëhet, në përpjekje për t’u ruajtur nga shpërndarja e koronavirusit.

Organi qeverisës i futbollit evropian ka vendosur masa të rrepta në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës pas rinisjes së sezonit muajin e kaluar, për t’u siguruar që garat të përfundojnë në mënyrë të sigurt.

Protokolli i UEFA këshillon që lojtarët të mos i shkëmbejnë fanellat. “Lojtarëve u rekomandohet të përmbahen nga shkëmbimi i fanellave të tyre”.

Por ky dokument nuk specifikon nëse shkëmbimi i fanellës ndëshkohet apo jo, edhe pse thekson se “shpërfillja e obligimeve në protokollin e UEFA-s mund të ketë për pasoja masa disiplinore në përputhje me Rregulloret Disiplinore të UEFA-s”.

Përkrahësit e PSG-së druhen se ato masa mund të përfshijnë pezullimin me një ndeshje moslojë, që do të nënkuptonte se Neymar do të mungonte në finalen e të dielës kundër Bayern Munich apo Lyon.

(Kosova Sot Online )