Liga e Evropës: Prishtina e pret vendimin e UEFA-s për ndeshjen kualifikuese me Lincolnin

  • S.A /
  • 24 August 2020 - 10:07
Liga e Evropës: Prishtina e pret vendimin e UEFA-s për ndeshjen kualifikuese me Lincolnin

Prishtina i është drejtuar Komisionin e Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s me argumentet e veta në lidhje me ndeshjen parakualifikuese për pjesëmarrje në Ligën e Evropës kundër Lincoln Red Imps – e cila u anulua dy herë brenda javës, për shkak të rasteve të shumta me koronavirus në ekipin kosovar. Bardhekaltrit janë të bindur në një vendim të favorshëm nga shtëpia e futbollit evropian.

Bardhekaltrit u rikthyen në Prishtinë të shtunën pak para mesnatës, pasi ngjashëm si në fillim të javës, edhe të shtunën ndeshja me Lincoln në Gjibraltar u anulua sepse tetë futbollistë të tyre dolën pozitiv në testet për Covid-19. Kampionia e Kosovës, Drita, e humbi ndeshjen parakualifikuese për Ligën e Kampionëve për të njëjtën arsye dhe Prishtina shpreson se nuk do ta përjetojë fatin e saj, edhe pse UEFA një herë ia dha mundësinë të tentojë sërish ta luajë ndeshjen disa ditë më vonë.Fituesja e Kupës së Kosovës e krijoi një ekip të ri me lojtarë të huazuar nga klubet rivale të Superligës, por edhe ai i dështoi në testet për Covid-19.Prishtina thotë se ndeshja u anulua nga autoritetet e Gjibraltarit, për dallim nga Lincoln që këmbëngul se ka qenë vendim i UEFA-s.

Zyrtarët e klubit kosovar i kanë dërguar argumentet e veta në UEFA dhe janë në pritje të një vendimi nga shtëpia e futbollit evropian.Prishtina ka ngritur dyshime në saktësinë e testeve në Gjibraltar, për shkak se njëri prej futbollistëve të saj të shëruar nga Covid-19, i cili ishte konfirmuar negativ në Kosovë, doli pozitiv në testin e bërë në Gjibraltar. Klubi nga kryeqyteti kosovar kishte shprehur gatishmëri të luante në ndeshjen e parë në mesjavë, sepse i kishte 14 futbollistë në dispozicion që kishin dalë negativë për Covid-19, por autoritetet e Gjibraltarit e kishin anuluar takimin. Gatishmëri kishte treguar edhe të shtunën, edhe pse i kishte vetëm 11 futbollistë në dispozicion.Dyshimet e bardhekaltërve janë, po ashtu, se Lincoln po synon ta fitojë ndeshjen me rezultat zyrtar në tavolinë.Përfaqësuesi i Prishtinës, Bajram Shala, thotë se klubi bardhekaltër do të marrë vendim meritor nga UEFA. “Nuk është e vërtet se si kanë aluduar vendasit që është vendim i UEFA-s, sepse ne e kemi të shkruar nga ana e delegatit vendimin që për pezullimin ndeshjes ka ardhur nga autoritetet lokale.”

“Është e vështirë të prejudikojmë vendimin, por duhet bërë maksimumin për ta bindur UEFA-në, duke mos i lejuar asgjë rastit. Pastaj UEFA besojmë do të marr vendimin meritor për çka nuk duhet dyshuar. Por, ne duhet të cekim komplet historikun nga java e kaluar nga ndeshja e parë kur është dashur të zhvillohet. Dhe, Prishtina në çdo formë e ka dëshmuar që dëshiron të luajë duke krijuar ekip të ri e duke mos tentuar as të ankohet pas anulimit të ndeshjes së parë e duke mos kërkuar rezultat në tavolinë e siç po duket mjaft haptas ka qenë qëllimi i Lincolnit”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )