Muller dhe Boateng mbesin jashtë Kombëtares së Gjermanisë

  • S.A /
  • 26 August 2020 - 09:35
Muller dhe Boateng mbesin jashtë Kombëtares së Gjermanisë

Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low, ka thënë se nuk e ka ndërmend t’i ftojë përsëri në Kombëtare Thomas Mullerin dhe Jerome Boatengun, pavarësisht formës së lartë dhe kontributit të tij në triumfin e Bayern Munich në Ligën e Kampionëve.

Muller dhe Boateng ishin titullar në finalen e së shtunës në Lisbonë, në të cilën Bayerni e mundi 1:0 Paris Saint-Germainin falë golit të Kingsley Coman në pjesën e dytë.

Mulleri i bëri 50 paraqitje në përgjithësi për Bayernin këtë sezon, duke i shënuar 14 gola, derisa Boateng e rifitoi vendin e titullarit në skuadër kah fundi i sezonit, duke i bërë 39 paraqitje.

Por të dy janë lënë jashtë ekipit të thirrur nga Low për ndeshjet e Gjermanisë në muajin shtator.

Në vitin 2019, Low njoftoi se Muller, 30 vjeç, Boateng 31 vjeç dhe Mats Hummels nuk do të jenë më pjesë e Kombëtares së Gjermanisë.

Ndërsa këtë të marte, ai e përsëriti qëndrimin e vet duke thënë: “Të dy lojtarët bënë paraqitje të mira dhe treguan sesa të rëndësishëm janë për ekipin e tyre. Por, pas Kupës së Botës, ne vendosëm që të luajmë me lojtarë të tjerë. Ne duam që lojtarët e rinj të kenë kohë dhe hapësirë për t’u zhvilluar”.

(Kosova Sot Online )