Zyrtare: Leeds trasnferon Rodrigo Morenon, më i shtrenjti në histori

  • E.K /
  • 29 gusht 2020 - 15:34
Zyrtare: Leeds trasnferon Rodrigo Morenon, më i shtrenjti në histori

Rodrigo firmos për Leeds United dhe sulmuesi i përfaqësueses spanjolle bëhet futbollisti më i shtrenjtë në historinë e klubit nga Jorkshiri Perëndimor. “The Whites” paguan 26 milionë stërlina për 29-vjecarin nga Rio de Janeiro, që largohet në këtë mënyrë nga Valencia për të vijuar karrierën e tij në Premier League. Rodrigo Moreno Machado bëhet në këtë mënyrë futbollisti i tretë spanjoll në radhët e ekipit të drejtuar nga trajneri I mirënjohur Marcelo Bielsa, pas ish-mesfushorit tjetër të Valencias Pablo Hernandez si dhe ish-portierit të Realit të Madridit Kiko Casilla. 29-vjecari me origjinë braziliane firmosi një kontratë 4-vjecare me Leeds United, klub që u rikthye në Premiership pas plot 16 vjetësh.

Rodrigo e filloi karrierën e tij te Valencia në vitin 2014, në formë huazimi nga Benfica dhe për klubin spanjoll në gjashtë sezone ai shënoi 59 gola në 220 ndeshje në të gjithë kompeticionet. Me Valencian Rodrigo fitoi Kupën e Mbretit, teksa mundi në majin e vitit 2019 Barcelonën në Stadiumin Benito Villamarin, madje në atë finale sulmuesi realizoi edhe golin e dytë, gol që rezultoi përcaktues në triumfin 2-1 ndaj skuadrës blaugrana. Në një video në Instagram për gjithë përkrahësit e Valencias Rodrigo shpjegoi se pas gjashtë sezoneve është koha për të për të kërkuar sfida të reja, sidoqoftë ai qartësoi se ky nuk ka qenë aspak një vendim I lehtë për t’u marrë.

Lexo Edhe:

Lewandowski: “Do t’ia jepja vetes Topin e Artë”

Në krahun tjetër drejtuesit e klubit nga Komuniteti Valencian pasi i uruan sukses në aventurën e tij të re e falenderuan futbollistin për kontributin, angazhimin dhe gjitha përpjekjet e bëra gjatë këtyre gjashtë sezoneve. Rodrigo ka debutuar me përfaqësuesen spanjolle në vitin 2014 dhe sulmuesi me origjinë braziliane ka shënuar 8 gola në 22 ndeshje me fanellën e “furisë së kuqe”. Pasi u eliminua në fazën gjysmëfinale të play off-it në sezonin 2018-2019 nga Derby County i drejtuar nga Frank Lampard, trajneri argjentinas Marcelo Bielsa ia doli për të fituar titullin në Championship në edicionin pasardhës, I shkëputur dhe me një diferencë prej plot 10 pikësh nga West Bromëich Albion, duke kthyer në këtë mënyrë ekipin nga Jorkshiri Perëndimor në elitën e futbollit anglez të klubeve, për herë të parë që nga viti 2004. Rekordi i mëparshëm i klubit mbahej nga ish-kapiteni I përfaqësueses së “tre luanëve” Rio Ferdinand, që në vitin 2000 u transferua te Leeds United nga “cekanët” e West Ham-it për shifrën e 18 milionë stërlinave. Me Valencian sezonin e kaluar Rodrigo shënoi vetëm 7 gola në 34 ndeshje, në të gjithë kompeticionet, megjithatë për hir të së vërtetës vlen të theksohet se “los che” janë duke vuajtur shumë në epokën e biznesmenit nga Singapori Peter Lim, që vazhdon të ndryshojë trajnerë dhe në mënyrë të pashmangshme është vënë në qendër të vëmendjes në Spanjë, për mënyrën tepër të diskutueshme të administrimit të këtij klubi, me emër dhe plot traditë, pa harruar gjithashtuqë edhe faktin që nga klubi i famshëm iberik  janë larguar edhe kapiteni Dani Parejo, Ferran Torres apo dhe Francis Coquelin.

Nga sa u deklarua në median vendase marrëveshja ishte siguruar që ditën e martë, gjithsesi Rodrigo bëhet kështu futbollisti i shtatë me të cilin përforcohen “të bardhët” e Leedsit këtë verë dhe sulmuesi do të qëndrojë në Elland Road deri në vitin 2024. Sulmuesi i ri i Leedsit është grumbulluar gjithashtu edhe nga trajneri Luis Enrique për dy ndeshjet që Spanja do të ketë në datat 3 dhe 6 shtator respektivisht me Gjermaninë dhe Ukrainën në Ligën e Kombeve.

Rodrigo ka dalë nga të rinjtë e Realit të Madridit dhe numëron edhe dy finale të humbura në Europa League me “shqiponjat” e Benfica-s, në vitet 2013 e 2014 respektivisht me skuadra si Chelsea dhe Sevilla, ndërsa në Premier League bëhet fjalë për një rikthim për të, sepse në sezonin 2010-11 ai u aktivizua për 17 ndeshje në radhët e Bolton Wanderers, në formë huazimi nga klubi nga Lisbona, duke shënuar thjesht një gol të vetëm, ndaj Wigan Athletic. Kampionati anglez do të startojë më datë 12 shtator dhe Leeds United do të përballet në takimin hapës në Anfield, pikërisht me kampionët në fuqi të Liverpulit.

(Kosova Sot Online)