Liga e Evropës: Drita përballet me klubin nga Maqedonia e Veriut

  • E.K /
  • 31 August 2020 - 14:24
Liga e Evropës: Drita përballet me klubin nga Maqedonia e Veriut

Drita do të përballet me klubin nga Maqedonia e Veriut, Sileks, në rundin e dytë kualifikues për pjesëmarrje në Ligën e Evropës.

Në shortin e hedhur sot në Nyon të Zvicrës, kampionia e Kosovës Drita ka mësuar se kundërshtari i saj në rundin e dytë kualifikues në Ligën e Evropës do të jetë Sileks.

Ndeshja do të zhvillohet më 17 shtator në Stadiumin e Qytetit në Kratovë dhe nuk do të ketë ndeshje të kthimit.

Nëse takimi përfundon baras në kohë të rregullt, atëherë do të ketë kohë shtesë dhe më pas penallti, nëse është e nevojshme.

Fituesi kalon në rundin e tretë kualifikues për Ligën e Evropës.

Drita, si kampione e Kosovës, duhej t’i vazhdonte përpjekjet për kualifikim në Ligën e Kampionëve – garën kryesore evropiane për klube – por u eliminua me rezultat zyrtar për shkak se ndeshja e saj kundër Linfieldit u anulua si pasojë e rasteve me koronavirus në klub.

Klubi nga Gjilani do të kërkojë ta shmangë një skenar të tillë dhe të jetë në gjendje të paraqitet në fushë kundër klubit fqinj, në përpjekje për ta arritur kualifikimin historik në një garë evropiane. 

(Kosova Sot Online)