Messi nuk paraqitet as në stërvitje, largimi nga Barcelona seç herë e më pranë

  • E.K /
  • 31 August 2020 - 15:12
Messi nuk paraqitet as në stërvitje, largimi nga Barcelona seç herë e më pranë

Lionel Messi do ta bëjë edhe një hap tjetër larg Barcelonës duke mos u paraqitur për stërvitje të hënën pasdite, sepse beson se marrëveshja që e ka me klubin katalonas tashmë ka mbaruar.

Messi e tronditi botën e futbollit kur i dërgoi bordit të klubit shkresë largimi, pas përmbylljes së sezonit 2019/20, i cili ishte tejet zhgënjyes për gjigantin katalonas, duke këmbëngulur se në ujdi e kishte një klauzolë e cila ia lejonte atij largimin nga klubi falas.

Por La Liga ia ka shuar ato shpresa argjentinasit, duke ia mbajtur anën Barcelonës, e cila pretendon se klauzola mbi të cilën thirret Messi ka skaduar në qershor, që nënkupton se, nëse ai largohet, cilido klub që e do duhet ta paguajë klauzolën e blerjes së tij prej 700 milionë euro.

Messi, megjithatë, vazhdon të këmbëngul në qëndrimin e tij dhe e ka larguar veten edhe më shumë prej Camp Nou.

Të dielën, ai nuk shkoi në qendrën mjekësore të klubit për ta bërë testin e PCR-së për koronavirus dhe nuk do t’iu bashkohet shokëve të skuadrës për stërvitjet e së hënës, për herë të parë nën urdhrat e trajnerit të ri Ronald Koeman.

Për 33-vjeçarin thuhet se me shumë mundësi do t’i bashkohet Manchester City, pas gati dy dekadave pjesë e gjigantit spanjoll, derisa Paris Saint-Germain dhe Inter janë dy klubet tjera që kanë shfaqur interesim serioz për të.

Messi, kontrata e të cilit me Barçës mbaron më 2021, dëshiron të takohet me bordin e klubit për ta zgjidhur situatën, por thuhet se klubi do të pranojë të flasë me të vetëm për rinovim të kontratës dhe asgjë tjetër.

Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë, i cili vlerësohet si futbollisti më i mirë në histori të këtij sporti, ka qenë pjesë e Barcelonës që prej vitit 2001, ndërsa debutimin në ekipin e parë e kishte bërë më 2004. 

(Kosova Sot Online)