Ylli i Liverpoolit: Të gjithë u zhgënjyem që Koeman shkoi në Barcelonë

  • S.A /
  • 01 September 2020 - 08:43
Ylli i Liverpoolit: Të gjithë u zhgënjyem që Koeman shkoi në Barcelonë

Virgil van Dijk ka thënë se ishte ndier i zhgënjyer kur e kishte kuptuar se Ronald Koeman po shkonte në Barcelonë, edhe pse thotë se e kupton pse ish-trajneri i Holandës ka dashur të bëhet trajner i gjigantit spanjoll.

Koeman u emërua së fundmi trajner i Barcelonës në vend të të shkarkuarit, Quique Setien, i cili e humbi punën pas disfatës turpëruese 8:2 kundër Bayern Munich në Ligën e Kampionëve.

Holandezi, ish-mbrojtës i Barçës, u desh ta braktiste postin e trajnerit të ekipit kombëtar të Holandës, për t’u emëruar në stolin e Camp Nou.

Synimi i Koeman ishte të shkonte në Barcelonë pas Kampionatit Evropian 2020, por meqë ky turne u shty për vitin 2021 si pasojë e koronavirusit, ai vendosi ta shfrytëzoi rastin për ta udhëhequr Barcelonën duke mos pritur më.

Dhe mbrojtësi i Liverpoolit dhe Holandës, Van Dijk e kupton përse Koeman e mori atë vendim dhe shtoi se është i lumtur për të.

“Të gjithë jemi të zhgënjyer që një trajner i madh i ekipit kombëtar si ai u largua, por të gjithë e kuptojmë”, tha Van Dijk.

“Mund ta pyesësh këdo në ekip një nga një, të gjithë do ta kenë mendimin e njëjtë. Kjo ishte ëndrra e tij e madhe. Askush nuk e priti që do të ndodhte kaq shpejt, por ne jemi të lumtur për të. Tani duhet të shkojmë përpara”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )