Babai i Messit mbërrin në Barcelonë: Unë nuk di asgjë

  • S.A /
  • 02 September 2020 - 08:47
Babai i Messit mbërrin në Barcelonë: Unë nuk di asgjë

Jorge Messi, babai dhe menaxheri i Lionel Messit, ka mbërritur në Barcelonë të mërkurën herët në mëngjes, para një takimi vendimtar me presidentin e Barçës, Josep Maria Bartomeu, për të ardhmen e djalit të vet. I pyetur në aeroport rreth çështjes se Messit, Jorge tha se ai nuk di asgjë.

Jorge erdhi nga vendlindja, Rosario në Argjentinë, në përpjekje për t’u ulur në tavolinë me shefin e klubit katalonas për ta gjetur një zgjidhje për largimin e Messit nga Camp Nou.

Ai dhe Bartomeu do të takohen sot gjatë ditës dhe qëndrimet mes palëve janë tejet të dukshme.

I pyetur në aeroport nga gazetarët se çfarë po ndodhë, Jorge u përgjigj shkurtimisht: “Unë nuk di asgjë”.

Lionel Messi, i cili e dorëzoi një shkresë largimi në fillim të javës së kaluar dhe nuk u paraqit në stërvitjet e para të Barçës për sezonin e ri këtë javë nën urdhrat e trajnerit të ri Ronald Koman, nuk e vlerëson veten lojtar të Barcelonës më.

Ai dëshiron të largohet falas, duke u thirrur në një klauzolë në marrëveshjen e vet me klubin e cila ia mundëson largimin pa asnjë qindarkë.

Por gjashtë herë fituesi i Topit të Artë dëshiron të largohet në mënyrë miqësore prandaj edhe ka kërkuar takim.

Barcelona, në anën tjetër, ende e vlerëson Messin kapiten të skuadrës dhe këmbëngul se ai mund të largohet vetëm nëse paguhet klauzola e lirimit në vlerë 700 milionë euro.

Për këtë klubi katalonas e ka mbështetjet e ligës elitare spanjolle, La Liga, po ashtu.

Derisa Barcelona pretendon se klauzola mbi të cilën Messi u thirr kur e dërgoi shkresën e largimit ka skaduar më 10 qershor, avokatët e përfaqësuesit argjentinas argumentojnë se ajo ka qenë e vlefshme deri në fund të gushtit, për shkak të shtyrjes së sezonit 2019/20 deri më 23 gusht, si pasojë e pandemisë koronavirus.

Manchester City është në pritje të lajmeve nga Barcelona për Messin, dhe thuhet e ka përgatitur një ofertë marramendëse për të.

(Kosova Sot Online )