Asnjë rast me Covid-19 në Kombëtaren e Kosovës para takimit me Moldavinë

  • S.A /
  • 02 September 2020 - 10:14
Asnjë rast me Covid-19 në Kombëtaren e Kosovës para takimit me Moldavinë

Të gjithë lojtarët dhe i tërë stafi i Kombëtares së Kosovës kanë rezultuar negativë në testimin për koronavirus, para nisjes për në Itali, për takimin hapës kundër Moldavisë në Ligën e Kombeve.

Ekipi kombëtar i Kosovës do të udhëtojë sot drejt Italisë, para takimit të nesërm (enjte) në Parma kundër Moldavisë në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Federata e Futbollit e Kosovës njofton se ekipi dhe stafi i saj i kanë kryer testet për Covid-19 dje në laboratorin e licencuar nga UEFA dhe të gjitha rezultatet i janë kthyer negative.

“Futbollistët dhe stafi i Kombëtares, por edhe zyrtarët e FFK-së që do të udhëtojnë në Itali i kanë kryer testet PCR në laboratorin e licencuar të UEFA-s dhe fatmirësisht të gjithë kanë rezultuar negativ në Covid-19. Kësisoj, ekspedita e Dardanëve sot do të udhëtojë e kompletuar për në Parma të Italisë”, thuhet në një njoftim të FFK-së.

Kosova do të kërkojë ta vazhdojë ecurinë mbresëlënëse në Ligën e Kombeve, garën më të re evropiane për kombëtare, edhe në edicionin e dytë të saj, pas promovimit në Ligën C nga liga e fundit, si ekip i pamposhtur.

Për takimin me Moldavinë në Parma, verdhekaltrit do të jenë të kompletuar, me përjashtim të Vedat Muriqit të lënduar.

Tri ditë pas takimit në Itali, të dielën më 6 shtator, dardanët do ta presin Greqinë në Fadil Vokrri, për ndeshjen e dytë në Grupin 3.

Kjo do t’i shkaktojë kokëçarje trajnerit Bernard Challandes, i cili këtë javë e vazhdoi marrëveshjen me FFK-në për edhe dy vjet të tjera, për shkak se ai duhet të mendojë për një formacion të dytë më të dobët për takimin me grekët.

Lojtarët e Kosovës që luajnë në Gjermani dhe Zvicër, si Milot Rashica, Benjamin Kololli, Hekuran Kryeziu, Leart Paqarada etj., nuk do të lejohen të udhëtojë drejt Prishtinës nga klubet e veta përkatëse.

Kjo për shkak se Kosova është në listën e vendeve të rrezikuara nga Covid-19 dhe atyre do t’iu kërkohej të vetizolohen për dy javë me t’u kthyer në klubet e veta.

(Kosova Sot Online )