“Loja” e FFK-së me të drejtat televizive nuk ka përfunduar

  • E.K /
  • 03 September 2020 - 15:37
“Loja” e FFK-së me të drejtat televizive nuk ka përfunduar

Edhe pse Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) të mërkurën e zyrtarizoi shitjen e të drejtave televizive të Superligës së Kosovës në futboll për “Artmotion” që është në pronësi të Devollëve, përmes një procesi shumë të dyshimtë tenderues, tani po del që jo gjithçka ka përfunduar.

Kjo për shkak se klubet e Superligës, ndeshjet e të cilave i ka shituar FFK-ja, janë mbajtur në “terr informativ” gjatë gjithë procesit që ka zgjatur me javë. Ato vetëm dje përmes një njoftimi u informuan se të drejtat televizive i ka blerë “Artmotion” me një çmim prej 380 mijë euro. Deri më tash asgjë më shumë.

Pjesa dërmuese e klubeve të Superligës i kanë thënë se nuk dinë asgjë se si kanë shkuar gjërat, derisa e kanë paralajmëruar FFK-në se para se të nënshkruajë kontratë me “Artmotion” t’ua bëjë transparent detajisht gjithë procesin, i cili ka nis dhe ka përfunduar nën dyshime për parregullsi.

FFK e kishte hapur tenderin më 5 gusht. Kompanitë mediale kishin afat deri më 12 gusht të konkurronin. Por, fituesi nuk është shpallur për disa javë. Këtë FFK e bëri vetëm dje, kur fokusi i të gjithëve ishte te Kombëtarja e Kosovës, e cila sonte luan me Moldavinë në Itali dhe të dielën e pret Greqinë në Prishtinë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Fitorja e “Artmotion” në futbollin kosovar përflitej muaj më herët para se të hapej tenderit. Po ashtu, ofertat financiare janë mbajtur të fshehta për disa ditë. Ndërsa, praktikat dhe ligjet në Kosovës i obligojnë instucionet që ofertat financiare me i çelë në prezencë të palëve. Dhe, kjo i shton dyshimet mbi korrektësinë e këtij procesi.

Derisa klubet ende janë duke pritur takim informues nga FFK-ja, njëri prej klubeve më me nam në futbollin kosovar, Llapi, nuk e ka marr fort seriozisht fituesin “Artmotion” të shpallur nga FFK-ja.

Donatori i këtij klubi, Tahir Batatina, është duke negociuar i vetëm me tri televizione tjera mundësinë e shit-blerjes së të drejtave televizive të ndeshjeve që Llapi do t’i zhvillojë si vendas.

“Po, unë jam duke negociuar me tri televizione tjera që kanë shpreh interesim për t’i blerë ndeshjet e Llapit. Unë po pres ta mësoj se sa fiton Llapi nga Artmotion që e ka zgjedh FFK. Sigurisht se ofertën më të mirë do ta zgjedhim si klub pasi ndeshjet janë tonat dhe ne kujt të duam ia shesim të drejtat televizive të ndeshjeve tona.  Të drejtat televizive janë të klubeve, e jo të federatës”, deklaroi Batatina për Express.

Në anën tjetër, edhe presidentët e Trepçës ’89 dhe Ballkanit kanë dhënë vërejtjeje rreth procesit të zhvilluar në mes FFK-së dhe “Artmotion”. Presidenti i klubit mitrovicas ka paralajmëruar ankesë në takim që pret të ftohen të gjitha klubet nga FFK-ja.  Po ashtu, kampionia e Kosovës, Drita, ka kërkuar transparencë. Edhe klubet tjera kërkojnë informata.

Përvoja nga e kaluara tregon se klubet mund ta “shkatërrojnë” procesin nëse fituesi është përcaktuar në mënyrë joligjore. Qysh në edicionin 2015-2016 të gjitha klubet ishin bashkë me FFK-në për t’ia shitur drejtat televizive “Digitalbit”. Por, vetëm FC Prishtina ishte kundër dhe e pakënaqur. Klubi më i madh kosovar ishte ndarë prej 11 klubeve tjera që ishin me “Digitalbin”, duke ia dhënë ndeshjet e saj Radio Televizionit të Kosovës. Dhe, FFK kishte mbetur si spektatore, duke mos arritur ta bindte Prishtinën t’u bashkohet 11 klubeve tjera në “Digitalb”. 

(Kosova Sot Online)