Ankesat e Djokovicit: Hajt se s’shkon në spital për këtë goditje, ku po mbetet karriera ime?

  • S.A /
  • 07 September 2020 - 12:40
Ankesat e Djokovicit: Hajt se s’shkon në spital për këtë goditje, ku po mbetet karriera ime?

Novak Djokovic ka bërë përpjekje të mëdha por të pasuksesshme për t’i shpëtuar përjashtimit nga Grand Slami US Open, pasi e goditi me top në fyt gjyqtaren e vijave, saqë i propozoi zyrtarit të lartë të turneut të përdorë opsione të tjera, duke thënë se gruaja e lënduar nuk kishte nevojë për tretman mjekësor. Por numri një i botës, Djokovic u diskualifikua nga ndeshja e rundit të katërt kundër spanjollit Pablo Carreno Busta, për shkak të këtij incident. Tenisti serb e nxori një top nga xhepi dhe e goditi atë me reketin e tij nga mbrapa, duke e qëlluar drejt e në fyt gjyqtaren.Pavarësisht se nuk u duk se e bëri me qëllim, rregullat e US Open kërkojnë diskualifikim për një incident të tillë. Serbi u mundua t’i shpëtojë përjashtimit nga ky turne, duke iu lutur zyrtarit të lartë t’i shikonte mundësitë dhe të mendonte për karrierën e tij. “Ajo nuk ka nevojë të shkojë në spital për këtë. A do ta zgjedhësh diskualifikimin në këtë situatë? Karriera ime, Grand Slami, në qendër të vëmendjes?” Djokovic i thotë gjyqtarit Soeren Friemel.

Friemel, i cili u mbështet nga zyrtari i lartë i US Open, Andreas Egli, nuk u tërhoq, edhe pas serbi i propozoi: “Mund ta përdorësh ndëshkimin me game, me set, ke shumë opsione”. 33-vjeçari kërkoi falje më vonë në një komunikatë për media.  “Jam vërtet i trishtuar dhe i palumtur për shkak të kësaj ndodhie”, tha Djokovic në një reagim pasi u përjashtua nga grand slami i US Open. “Më vjen shumë keq që i kam shkaktuar asaj stres të tillë. Ndodhi pa kurrfarë qëllimi. Ishte shumë gabim. Nuk po e bëj publik emrin e saj për hir të privatësisë së saj”, shtoi ai. Ai do t’i humbë të gjitha pikët e fituara deri tani në US Open dhe po ashtu edhe paratë të cilat i ka fituar në këto katër runde. Serbi 33-vjeçar rrezikon edhe të gjobitet.

(Kosova Sot Online )