Sokoli: Kampionati i ri të fillojë me prezencë të reduktuar të shikuesve

  • S.A /
  • 09 September 2020 - 13:42
Sokoli: Kampionati i ri të fillojë me prezencë të reduktuar të shikuesve

Edicioni i ri në Superligën e Kosovës në futboll i paraparë për të filluar më 12 shtator, tashmë është shtyrë për një javë, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia në vendin tonë dhe masave kufizuese në sport nga instucionet shtetërore të shëndetësisë. Sipas këtyre masave, klubet nuk kanë të drejt as të stërvitin, e lëre më të zhvillojnë ndeshje të futbollit, ndonëse kjo nuk po respektohet fare sepse klubet po stërvitin në formë “ilegale” e madje edhe po zhvillojnë ndeshje miqësore. Sidoqoftë, eksperti i futbollist, Bylbyl Sokoli, thotë se shteti duhet t’i heq sa më shpejtë masat kufizuese në sport, kurse Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) duhet ta mbaj nën kontroll futbollin e kërcënuar nga koronavirusi duke bërë teste sa më të shpeshta. Sokoli thotë se kampionati i ri duhet të fillojë edhe në praninë e shikuesve, të cilëve qe disa muaj u është ndaluar prezenca në stadiume shkaku i koronavirusit.

 “Unë jam për atë që stërvitjet e klubeve të lejohen edhe zyrtarisht, pastaj që kampionati të fillojë sa më shpejt dhe të mos ketë shtyrje, të bëhen teste sa më të shpeshta që është  mundur, por jam edhe për atë që publiku të rikthehet në stadiume në formë të reduktuar. Pra jam për atë që masat të fillojnë të hiqen nga futbolli dhe nga sporti në përgjithësi”, tha Sokoli. Ndërsa, edhe Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë thirrje në instucionet shtetërore që t’i bëjnë lehtësime zhvillimit të sportit dhe ta përkrah financiarisht këtë sektor pasi pandemia ka shkaktuar krizë tejet të madhe në sport.

(Kosova Sot Online )