Kosova s’do të mundë të llogarisë në Vedat Muriqin kundër Maqedonisë së Veriut

  • S.A /
  • 21 September 2020 - 15:45
Kosova s’do të mundë të llogarisë në Vedat Muriqin kundër Maqedonisë së Veriut

Vedat Muriqi pritet t’i mungojë Kosovës për, mbase ndeshjen e saj më të rëndësishme deri tani, kundër Maqedonisë së Veriut në fillim të tetorit, në play-off për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian 2020 për herë të parë në historinë e saj.

Lazio konfirmoi të hënën se sulmuesi prizrenas Muriqi ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, i cili vjen në kohën kur ai është duke e vuajtur një lëndim muskulor.

Muriqi – i cili iu bashkua Lazios nga Fenerbahce javën e kaluar për një shumë që besohet të jetë rreth 20 milionë euro – nuk ka simptoma të virusit dhe është vetizoluar.

Ai është vetizoluar në Turqi ku do t’i kalojë dy javët e ardhshme para se të kthehet në kryeqytetin italian për t’iu bashkuar në stërvitje klubit të vet të ri.

26-vjeçari e bëri testin për Covid-19 në Turqi, ku ishte kthyer për t’i kompletuar dokumentet e kalimit nga Fenerbahce në Lazio.

Si pasojë e infektimit me këtë virus dhe për shkak të tërheqjes muskulore, sipas të gjitha gjasave Muriqi do t’i mungojë Kosovës për ndeshjet e fillim tetorit, para parashikohet që ai të jetë i gatshëm vetëm kah mesi i muajit të ardhshëm.

Për shkak të atij lëndimi gjatë një ndeshje me ish-klubin Fenerbahce, Muriqi mungoi në ndeshjet e Kosovës në Ligën e Kombeve në shtator, në barazimin 1:1 me Moldavinë dhe në humbjen 2:1 kundër Greqisë.

Ç‘është më e keqja, ai nuk do të jetë në gjendje të riaftësohet në kohë as për takimin gjysmëfinal në play-off kundër shtetit fqinj Maqedonisë Veriore.

Kosova do ta ketë një përballje historike me Maqedoninë e Veriut më 8 tetor, në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian 2020 për herë të parë në histori të vet.

Euro 2020 mbahet më 2021 për shkak të koronavirusit.

Tri ditë më vonë, Kosova do të jetë nikoqire e Sllovenisë në ndeshjen e xhiros së tretë të Ligës së Kombeve.

 ër më tepër, Muriqi duhet të presë gjatë për të debutuar në Serie A për Lazion.

Lazio do ta nisë sezonin e ri në Serie A pas pesë ditëve, më 26 shtator kundër Cagliarit.

(Kosova Sot Online )