Një vit pasi u kërkua ribashkimi i MSN-së, Messi mbeti i vetëm

  • S.A /
  • 24 September 2020 - 13:36
Një vit pasi u kërkua ribashkimi i MSN-së, Messi mbeti i vetëm

Luis Suarez nuk është më lojtar i Barcelonës. Edhe zyrtarisht, sulmuesi uruguaian është larguar për t’u transferuar te rivali, Atletico Madrid. Kush do ta vërejë më shumë mungesën e tij? Tashmë dihet, Lionel Messi.

Ai mbetet pa shokun më të mirë, pa njeriun me të cilin ndante gjithçka, pa bashkëlojtarin me të cilin kuptohej edhe me sy mbyllur në fushë, me të cilin përjetoi momente të mira, krahas atyre jo të mira.

Një vit më parë u mendua dhe diskutua, madje pati edhe negociata, për ribashkimin e MSN-së (Messi, Suarez, Neymar), treshe sulmuese e frikshme që për disa sezone në ‘Camp Nou’ ishin ankthi i çdo kundërshtari.

Por, kur gjithçka dështoi dhe Leo kritikoi klubin duke thënë “nuk e di nëse Barcelona ka bërë mjaftueshëm për ta rikthyer Neymarin (i transferuar në PSG në vitin 2017)”, atij ia largojnë edhe dorën e djathtë, edhe Suarezin.

Do të jetë një vit ndryshe për Barcelonën, një vit shumë shumë më ndryshe edhe për Lionel Messin, që përveç se do të jetë pa njeriun që ndante me të gjithçka, ai edhe vet kërkoi zyrtarisht largimin gjatë verës – nuk beson në projektin e Barcelonës dhe ia dëshmojnë edhe më shumë këtu me largimin e papritur të një legjende.

Pas largimit të Suarez, tani Barcelona duhet të përgatitet mirë, pasi vështirë se do ta mbajë Lionel Messin, të cilit do t’i skadojë kontrata në verën e vitit 2021.

(Kosova Sot Online )