Talenti i Kombëtares lë Interin dhe transferohet në Bundesliga

  • E.K /
  • 02 tetor 2020 - 13:57
Talenti i Kombëtares lë Interin dhe transferohet në Bundesliga

Ramën Çepele nuk është menduar dy herë për t’u larguar nga Interi.

17-vjeçari, që ishte pjesë e të rinjve te zikaltrit ka pranuar të transferohet tek Hanoveri në Gjermani.

Lojtari, i cili befasoi opinionin sportiv në Shqipëri në çastin kur emri i tij ishte në listën e përfaqësueses së të rriturve të Shqipërisë, pa luajtur qoftë një ndeshje si profesionist, ka zgjedhur pikërisht klubin ku Altin Lala u shndërrua në një ikonë.

Çepele do të luajë fillimisht me të rinjtë e Hanoverit, por kalimi tek skuadra e parë është i sigurt dhe këtë e ka pranuar edhe drejtori sportiv i të kuqve, Gerhard Zuber, duke dkelaruar se afrimi I lojtarit të talentuar shqiptar konfirmon strategjinë e klubit për të investuar tek të rinjtë. Çepele do ta nisë tek akademia e Hanoverit, por shumë shpejt do të jetë me skuadrën e parë.

Kontrata e firmosur është 2-vjeçare, sepse kur je nën 18- vjeç rregullorja nuk lejon nënshkrimin e një kontrate me kohëzgjatje më shumë se dy vite.

Hanoveri është shpallur dy herë kampion i Gjermanisë dhe ka fituar edhe një herë Kupën, ndërsa aktualisht ndodhet në Bundesligën e Dytë gjermane. Çepele në këtë mënyrë i bashkohet një klubi ku ish kapiteni i Kombëtares, Altin Lala, ka bërë historinë duke zbritur në fushë në 320 ndeshje dhe duke qenë një njeri shumë i dashur për tifozët.

(Kosova Sot Online)