Përfaqësuesit e Kosovës në xhudo, Flaka Loxha dhe Shigeki Nakamura arrijnë në finale të Kupës Evropiane në Dubrovnik

  • S.A /
  • 03 October 2020 - 16:51
Përfaqësuesit e Kosovës në xhudo, Flaka Loxha dhe Shigeki Nakamura arrijnë në finale të Kupës Evropiane në Dubrovnik

Xhudisti japonez i cili përfaqëson Kosovën, Shigeki Nakamura, ka arritur të kualifikohet në finale të Kupës Evropiane në Xhudo që po zhvillohet në Dubrovnik të Kroacisë, ndërsa në finale ka arritur gjithashtu edhe xhudistja Flaka Loxha.

Nakamura ka debutuar suksesshëm me Kosovën duke fituar dy meçet e para ndaj xhudistëve slloven, Aljaz Plantaku dhe Goran Kelevan, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.

Reprezentuesi i Kosovës ishte i papërmbajtshëm edhe në gjysmëfinale duke arritur të eliminojë serbin, Djordje Stanojevic.

Në finale, të kategorisë deri në 73 kilogramë, Nakamura do të përballet me një xhudist tjetër serb, Aleksandar Rajicic.

Në anën tjetër, pejania Flaka Loxha ka arritur në finalen e madhe në kategorinë e saj deri në 57 kilogramë.

Loxha ka arritur ta mposht serben Teodora Copic në ndeshjen e parë, ndërsa në gjysmëfinale ajo e mposhti sllovenen Anna Marie Ograjensek.

Në finalen e madhe të Kupës Evropiane, ajo do të ndeshet me italianen Veronica Toniolo.

(Kosova Sot Online )