Challandes i konfirmon mungesat e mëdha kundër Maqedonisë së Veriut

  • S.A /
  • 05 October 2020 - 11:40
Challandes i konfirmon mungesat e mëdha kundër Maqedonisë së Veriut

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka konfirmuar se përballet me disa mungesa shumë të mëdha për ndeshjen e rëndësishme kundër Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinalen e play-off për pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian 2020.

Kosova e viziton Shkupin të enjten për përballjen mbase më të rëndësishme në histori të saj – gjysmëfinalen e play-off të Ligës së Kombeve – për pjesëmarrje në Euro 2020, që mbahet vitin e ardhshëm.

Duke folur të hënën në një konferencë për media para këtij takimi, trajneri zviceran konfirmoi se mesfushorët Hekuran Kryeziu, Besar Halimi, Idriz Voca do të mungojnë shkaku i lëndimeve që i pësuan kohëve të fundit.

Ai nuk është optimist se Vedat Muriqi i Lazios do t’ia dalë të riaftësohet në kohë për ndeshjen e se enjës, ndërkohë që nuk do të mundë të llogarisë as në Milot Rashicën e Werder Bremen.

“I kemi disa probleme me disa lojtarë. Disa janë të lënduar dhe të natyrave të tjera”, tha Challandes.

“Për Vedat Muriqin duhet të presim deri të martën që të bëjë teste dhe në koordinim me stafin mjekësor të Lazios, ne mënyrë që ta shohim se sa do të ketë progres. Të shohim. Më duhet ta them se jam pesimist për mundësinë e rikuperimit me kohë shkaku i natyrës së lëndimit”, shtoi ai.

Në lidhje me Amir Rrahmanin, i cili ka mbetur i ngujuar në Napoli për shkak të gjendjes me koronavirus në skuadrën italiane, Challandes nënvizoi: “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me FIFA-n për Amir Rrahmanit. Pesë minuta para konferencës kemi folur, ka lajme pozitive. Nuk ka ende një vendim final. Po e bëjmë të pamundurën që ai të vijë sonte ose nesër.”

“Po ashtu, Samir Ujkani e ka një lëndim, shpresojmë të kthehet të premten. Lëndimi i Idriz Vocës i papritur, e ka thyer hundën. Hekuran Kryeziu të shtunën e pësoi një lëndim në ligamente që i kishte lënduar. Besar Halimi dhe Milot Rashica tashmë ishin të lënduar”, tregoi ai.

Ai e la të hapur mundësinë për të marrë lojtarë nga ekipi kombëtar U21.

“Nëse e shihni listën, kemi lojtarë të pamjaftueshëm. Nëse konsiderojmë se ka nevojë, do të marrim lojtarë edhe nga U21, qoftë për stërvitje apo për dy ndeshjet tjera të tetorit. Është e rëndësishme që t’i tregoj rrugën lojtarëve të rinj se si duhet të arrihet tek ekipi A i Kosovës”.

(Kosova Sot Online )