Dështimet e Bartomeut te Barcelona – Neymar, Di Maria… Garcia, Depay!

  • S.A /
  • 09 October 2020 - 10:35
Dështimet e Bartomeut te Barcelona – Neymar, Di Maria… Garcia, Depay!

Problemet financiare janë arsyeja kryesore se përse Barcelona dështoi të sjellë në ‘Camp Nou’ futbollistë të cilët i kërkoi Ronald Koeman. Diçka e tillë i ka ndodhur ndër vite klubit katalunas.

Revolucion…. Barça kërkonte të bëjë shumë ndryshime këtë verë, por për arsye financiare, e shkaktuar edhe për shkak të pandemisë, ato ishin të vogla.

Objektivi i parë verën që lamë pas ka qenë Lautaro Martinezi Interit, katalunasit kanë mbajtur takime të vazhdueshme me klubin italian për sulmuesin argjentinas. Në fund, bisedimet nuk shkuan ashtu siç do të dëshironte Barcelona dhe nuk u arrit asnjë marrëveshje, kështu Martinez mbeti te Interi.

Pas dështimit të Lautaros, Barça, me kërkesë edhe të trajnerit të ri, Ronald Koeman, ktheu vëmendjen kah Memphis Depay.

Madje, klubi spanjoll arriti marrëveshje personale me sulmuesin dhe tentoi ta marrë atë deri në minutat e fundit të afatit kalimtar të verës, por ishte e pamundur. Edhe kjo blerje dështoi për shkak të problemeve ekonomike, pasi Barça tentoi të shiste para se të blinte, por nuk arriti ta bindë Ousmane Dembelen që të largohet, futbollisti i vetëm nga i cili Barcelona shpresonte të bënte pak më shumë para për t’i përdorur në ardhje të reja.

Synimi tjetwr ishte qendërmbrojtësi Eric Garcia, për të cilin Barcelona refuzoi të paguaj çmimin e kërkuar nga Manchester City.

Barça dëshiroi ta rikthejë në Camp Nou lojtarin e akademisë, por City kërkonte të paktën 20 milionë euro – në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, gazetari i njohur Fabrizio Romano, deklaroi se Barça kishte ofruar deri në 17 milionë euro, e papranuar nga klubi anglez.

 Këta tre lojtarë, si dhe shumë të tjerë ndër vite, hyjnë në listën e dështimeve të presidentit Josep Maria Bartomeu.

Edhe vitet e kaluara, Barça kishte probleme të tilla, duke mos i trasnferuar ata që vërtet i donin trajnerët.

Ernesto Valverde vite më parë kishte kërkuar sjelljen e Inigo Martinez, kishte dështuar, pastaj objektiv një vit ishte edhe Matthijs de Ligt, edhe ky dështoi, ndoshta pak më shumë për shkak të milionave që donte lojtari pavarësisht moshës së re. Ai gjithashtu kërkonte shumë minuta, diçka që atë kohë nuk mund t’ia ofronte Barça.

Marco Verratti ishte objektiv për një kohë, madje u tentua seriozisht në vitin 2017, por Paris Saint-Germain nuk e lejoi lojtarin të largohej.

Katalunasit dështuan edhe për Angel Di Maria për të cilin PSG kërkonte 60 milionë euro, dhe Adrien Rabiot pasi që agjenti i tij kërkonte rrogë të lartë për futbollistin. 

Dështimi tjetër i presidentit ishte verën e kaluar, kur Neymar u përfshi në lajmet për një rikthim të mundshëm në Camp Nou. Pasi që kishin shpenzuar 120 milionë euro në Antoine Griezmann, Barça tentoi për brazilianin.

Pati negociata me PSG-në, por asnjëherë nuk u bë e ditur se cilat ishin kërkesat e klubit francez të cilat nuk ia realizoi Barcelona.

Për të, madje reagoi edhe Lionel Messi, duke thënë: “Nuk e di nëse Barcelona ka bërë mjaftueshëm për ta rikthyer Neymarin”.

Në janar të 2020, kur Luis Suarez ishte i lënduar për disa muaj, Barcelona tentoj për Rodrigo Morenon. Prapë klubi dështoi që të arrinte akord me skuadrën e Valencias.

Dështime tjera që bëjnë pjese në listën e gjatë janë; Willian, Luka Jovic, Willian Jose dhe Marco Asensio – që të gjithë këta futbollistë ishin në radarin e klubit katalunas.

Mund të quhet edhe si dështim rikthimi i Xavi Hernandez, kësaj radhe në stol, legjenda spanjolle nuk ishte gati në janar për ta zëvendësuar Valverden, që u shkakrkuar pas rezultateve jo të mira.

Më pas, gjatë verës, Xavi tha se “tani ndihem gati”, por treni kishte kaluar dhe Barça emëroi në stol Ronald Keomanin me të cilin nuk e ka nisur mirë, kuptohet në aspektin e sjelljes së lojtarëve pasi dy dëshira të mëdha, Garcia dhe Depay, mbetën te City, respektivisht Lyoni.

Barça do të tentojë për ta në janar, pasi Koeman e ka një qëllim, të ndryshojë dhe rigjenerojë skuadrën e me të cilin shumë vite më parë fitoi Champions Leaguen, atë kohë ishte i pari për Barcelonën – sot numëron gjithsej pesë trofe. Formacioni me lojtarët që Barcelona i kërkoi, por asnjëherë nuk ia doli të rrëmbejë.

(Kosova Sot Online )