Kritika për yjet që munguan, Rrahmani iu përgjigjet komentuesve

  • S.A /
  • 09 October 2020 - 12:22
Kritika për yjet që munguan, Rrahmani iu përgjigjet komentuesve

Faqet zyrtare në rrjetet sociale të yjeve të Kosovës që munguan në ndeshjen me Maqedoninë e Veriut janë vërshuar me kritika të ashpra nga tifozët.

Lexo Edhe:

Messi tregon problemin e Argjentinës pas fitores së parë në kualifikimet për Kupën e Botës

“Viktima” të këtyre komenteve ishin mbi të gjitha Vedat Muriqi, Milot Rashica dhe Amir Rrahmani.

Qindra komente kritikuese dhe fyese kanë përfunduar në llogaritë e yjeve të Kosovës, të cilët janë akuzuar se ia kanë kthyer shpinën dhe e kanë lënë ekipin kombëtar në lloç në momentin vendimtar për kualifikim në Euro 2020.

Mirëpo, kapiten Rrahmani nuk ka ndenjur duarkryq dhe i ka humbur durimi.

Ai ka reaguar ndaj komentuesve, duke ua sqaruar se e kishte të pamundur t’ju bashkohej “Dardanëve”, të cilët humbën 1:2 mbrëmë në Shkup nga Maqedonia e Veriut.

“I gjithë ekipi i Napolit është në karantinë dhe jemi të ndaluar të bëjmë një metër larg hotelit. Pas të gjitha përpjekjeve të ambasadës italiane në Kosovë, prapë ishte e pamundur të vija. Mësohuni ta duani vendin tuaj, pastaj të bëni komente”, ka shkruar qendërmbrojtësi kosovar.

Kosova i kishte tetë mungesa në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Tose Proeski Arena” dhe kjo bëri që Verdhekaltrit të ishin të pafuqishëm për të triumfuar në Shkup, në ndeshjen gjysmëfinale të “play-offit” të Ligës së Kombeve.

(Kosova Sot Online )