E priste Kosova, talenti shqiptar luan dhe shënon për Zvicrën

  • S.A /
  • 10 October 2020 - 09:36
E priste Kosova, talenti shqiptar luan dhe shënon për Zvicrën

Kosova vuajti shumë mungesën e një sulmuesi si Vedat Muriqi mbrëmjen e djeshme ndaj Maqedonisë së Veriut, ndërsa në dispozicion të trajnerit Challandes nuk u vu as sulmuesi më i ri i Brighton, Andi Zeqiri.

Presidenti i FFK-së Agim Ademi ishte shprehur se sulmuesi 22-vjeçar ka vendosur të përfaqësojë “dardanët” në arenën ndërkombëtare, ndërsa edhe vetë babai i Andit, Avdi Zeqiri pati konfirmuar për Supersport se është bërë aplikimi në FIFA për të marrë lejen për të luajtur me Kosovën.

Megjithatë sulmuesi duket se ka ndërruar mendje, pasi i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së Zvicrës U21 dhe sot ka luajtur titullar në transfertën ndaj Gjeorgjisë U21, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian U21.

Helvetët fituan me rezultatin e thellë 0-3, ndërsa Andi Zeqiri qëndroi në fushë për plot 88 minuta dhe shënoi golin e dytë për Zvicrën, pasi ekzekutoi saktë një penallti në minutën e 68’ të ndeshjes.

Kujtojmë që pasi spikati me ekipin e Lozanës, ku edhe është rritur, Andi Zeqiri u transferua pak ditë më parë në Premier League-n angleze, pasi nënshkroi për 4 sezone me klubin e Brightonit.

(Kosova Sot Online )