Greqia – Kosova: Dardanët ende në kërkim të fitores së parë në vitin 2020

  • S.A /
  • 14 October 2020 - 09:30
Greqia – Kosova: Dardanët ende në kërkim të fitores së parë në vitin 2020

Megjithëse i mungojnë pothuajse të gjithë lojtarët titullarë, Kosova do ta kërkojë fitoren e parë në vitin 2020, si dhe të parën në edicionin e ri të Ligës së Kombeve, sonte kur të përballet me Greqinë në Athinë në një ndeshje të Grupit 3.  

Ekipi kombëtar i Kosovës, i thelluar në krizë rezultatesh, do të takohet me Greqinë në Ligën C, kombëtaren helene që ka treguar formë të lartë kohët e fundit dhe duket të jetë favorite për ta fituar grupin.

Ndeshja e xhiros së katërt mes Greqisë dhe Kosovës do të zhvillohet në Stadiumin Olimpik të Athinës, pa praninë e shikuesve, duke filluar në orën 20:45.

Greqia e fitoi 2:1 ndeshjen e parë kundër Kosovës muajin e kaluar në Prishtinë.

Kosova i ka humbur të gjitha mundësitë për ta fituar Grupin 3 në Ligën C, pasi e nisi fushatën e re me një barazim dhe dy humbje radhazi dhe është ende në kërkim të fitores së parë.

Kur jemi në gjysmë të rrugës në fazën grupore, Kosova është e parafundit në grupin e vet me vetëm një pikë të mbledhur, njëlloj si Moldavia që renditet e fundit.

Grupit i prijnë Greqia dhe Sllovenia me nga shtatë pikë, në një garë kokë me kokë për ta fituar atë.

Derisa Kosova po e përjeton një krizë të madhe rezultatesh këtë vit, edhe pse e pati një edicion mahnitës 2019/20 në garën e UEFA-s, Greqia është në formë shumë të mirë dhe nuk e ka humbur asnjë ndeshje garuese që një vit.

E Kosovës iu bën një vit që nuk ka shijuar fitore në një ndeshje garuese, kur e mundi 2:0 Malin e Zi në tetor të 2019-s në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.

Verdhekaltrit e humbën mundësinë e dytë për t’u kualifikuar në Euro 2020 javën e kaluar, kur u mundën nga fqinjët e Maqedonisë Veriore në gjysmëfinale të play-offit.

Edhe në takimin e kësaj mbrëmjeje kundër grekëve, trajneri Bernard Challandes, i cili është nën presion të madh dhe i bombarduar me kritika, do të përballet me mungesat edhe më të mëdha se në ndeshjet e fundit, pasi listës së të lënduarve u janë shtuar edhe Valon Berisha, Arbër Zeneli dhe Edon Zhegrova.

Ndërkohë, Vedat Muriqi, Amir Rrahmani, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Besar Halimi dhe Idriz Voca do të mungojnë sërish.

Greqia, në anën tjetër, nuk përballet me ndonjë telashe apo mungesë kundër dardanëve, dhe mbi të gjitha vijnë në formë të mirë në këtë takim.

Humbja kundër Italisë në tetor 2019 në një ndeshje kualifikuese për Euro 2020 ishte e fundit e Greqisë në një ndeshje garuese.

Por, helenët u mundën nga Austria në një ndeshje miqësore muajin e kaluar.

Në gjashtë ndeshjet e fundit garuese, Greqia i ka shënuar pesë fitore dhe ka barazuar një herë tjetër.

(Kosova Sot Online )