Kosova pëson rënie në ranglistën e FIFA-s, pas rezultateve të dobët këtë vit

  • S.A /
  • 22 October 2020 - 11:54
Kosova pëson rënie në ranglistën e FIFA-s, pas rezultateve të dobët këtë vit

Kosova ka pësuar rënie për një vend në ranglistën botërore të ekipeve kombëtare të FIFA-s, pas rezultateve të dobët këta vit, dhe tani e gjen veten në pozitën e 117-të.

Kosova është ende pa fitore në vitin 2020, pasi në pesë ndeshjet e zhvilluara këtë vit u mposht tri herë dhe barazoi dy herë të tjera.

Renditja e re e FIFA-s – e cila ishte e pandryshueshme që nga 9 prilli – u publikua sot pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve në shtator dhe tetor.

Për Kosovën, këta muaj ishin më zhgënjyesit që i ka përjetuar që prej pranimit në shtëpinë e futbollit botëror, pasi nuk arriti asnjë fitore.

Verdhekaltrit e nisën sezonin e ri 2020/21 në Ligën e Kombeve me barazim zhgënjyes 1:1 me Moldavinë në fillim të shatorit, para se të pësonin humbje 2:1 kundër Greqisë në Prishtinë.

Në tetor, Kosova e humbi mundësinë historike për kualifikim në Kampionatin Evropian 2020, sepse u mposht nga Maqedonia e Veriut në gjysmëfinale të play-off’t.

Në dy ndeshjet e tjera në Ligën e Kombeve këtë muaj, skuadra e Bernard Challandes u mund nga Sllovenia 1:0 në stadiumin Fadil Vokrri dhe barazoi pa gola me Greqinë në Athinë.

Këto rezultate të dobëta bënë që Kosova të bjerë nga pozita e 116-të në vendin e 117-të.

Kosova i humbi shtatë pikë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s dhe tani i ka 1158 pikë në total. 

Image

(Kosova Sot Online )