Schurrle shpërthen kundër Mourinhos: “Është njeri brutal”

  • S.A /
  • 24 October 2020 - 11:03
Schurrle shpërthen kundër Mourinhos: “Është njeri brutal”

Kampioni i Botës me Gjermaninë në 2014-ën, Andre Schurrle njoftoi në korrik tërheqjen nga futbolli në mënyrë mjaft të befasishme, pasi fantazisti ka vetëm 30 vite mbi supe dhe mund të luante të paktën edhe 3-4 vite të tjera në nivele të larta.

Në deklaratën për tërheqjen, Schurrle argumentoi se futbolli i merr shumë kohë, e mban vazhdimisht larg familjes e miqve dhe mbi të gjitha i shkakton stres të jashtëzakonshëm, duke i ndikuar në mënyrën e jetesës.

Duke folur për mediat gjermane, ish futbollisti është kthyer pas në kohë dhe ka zbuluar se trajneri më i keq me të cilin ka punuar, ka qenë portugezi Jose Mourinho, pasi të dy kanë qenë bashkë te londinezët e Chelseat.

“Ishte një njeri brutal. Kam menduar shpesh me veten. Pse e bën këtë? Pse më trajton kështu? Pse ua bën këtë njerëzve? Atëherë nuk arrija të bëj atë që ai donte në fushë, vetëm për shkak të presionit të madh psikologjik që ushtronte ndaj meje. Ndodhte shpesh që të më aktivizonte titullar dhe më pas të më zëvendësonte në pushim të ndeshjes, e në takimin e radhës të më dërgonte në tribunë. Po akumuloja një presion ekstrem dhe po humbja edhe vetëbesimin, që është shumë i rëndësishëm për një futbollist”, u shpreh Schurrle.

(Kosova Sot Online )