Mourinho: Real Madridi s’e arrinte as çerekfinalen e Champions para se Bale t’i bashkohej

  • S.A /
  • 29 October 2020 - 08:59
Mourinho: Real Madridi s’e arrinte as çerekfinalen e Champions para se Bale t’i bashkohej

Jose Mourinho e ka lartësuar yllin uellsian Gareth Bale, për siç tha, profesionalizmin e treguar prej se i është ribashkuar atij në Tottenham, si dhe nënvizoi se Real Madridi kishte vështirësi të fitonte trofe evropianë para se ai t’i bashkohej klubit.

Duke folur në një konferencë për media para ndeshjes së Tottenhamit kundër Antwerp në Ligën e Evropës, Mourinho këmbënguli se Bale e kishte bërë dallimin në Real Madrid.

“Reputacioni është një gjë, ndërsa faktet janë diçka tjetër. Do të doja t’i kisha reputacionin dhe katër trofetë e tij në Ligën e Kampionëve. Unë i kam vetëm dy”, tha Mourinho për Bale.

Ai shtoi: “Fakti është se Gareth e ka bërë dallimin në Real Madrid. Ishte një klub që, për më shumë se një dekadë, nuk e arrinte as çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, e pastaj e bëri kapërcimin e madh. Kur e morën atë (Bale), i fituan katër trofe në pesë vjet”.

Trajneri portugez foli edhe për ndikimin e tij pas rikthimit në Tottenham.

“Ai po punon zellshëm. Është duke u treguar shembull për të gjithë. Si lojtar i madh që është edhe pse udhëtoi në Burnley të hënën, qëndroi në stol për 90 dhe nuk luajti fare, por nuk bëri zë. Sjellja e tij në ekip është e jashtëzakonshme”. 

(Kosova Sot Online )