“Kthimi i bojkotit? Varet nga plotësimi i kërkesave”

  • S.A /
  • 29 tetor 2020 - 16:42
“Kthimi i bojkotit? Varet nga plotësimi i kërkesave”

Presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit, Edvin Libohova, në sqarimin e gjatë dhënë për mediet në përfundim të mbledhjes, ku u vendos për dhënien fund të bojkotit, theksoi se plotësimi i kërkesave është një proces dinamik, që kërkon kohën e vet, por nuk përjashtoi mundësinë e rikthimit të Bojkotit, në varësi të punës që do të bëjë qeveria. Nëse nuk vjen zgjidhja që prisni nga qeveria, do të ketë bojkot tjetër? 

Kjo është një vendimmarrje që nuk mund ta themi sot. Ne jemi në një proces dinamik, do të shohim nëse do të realizohen ato kërkesa pra nëse do të kënaqet komuniteti i futbollit por jo vetëm, sepse kërkesat tona prekin të gjithë sportin. Atëherë do të shohim se cilët do të jenë hapat e mëtejshëm.

Çfarë ka ndryshuar, ose më mirë çfarë garancish shtesë keni marrë nga qeveria prej mbledhjes së të hënës?

Nuk është puna te garancitë shtesë. Bisedimet kanë çuar në një mirëkuptim mes presidentëve të Ligës, që jemi në rrugë të mbarë, për të mos dëmtuar futbollin, por për të vazhduar përpjekjet dhe luftën tonë për plotësimin e kërkesave që kemi parashtruar.

Zoti Libohova, jeni shprehur se në rast se një skuadër do të zbresë në fushë, do të shoh pozicionin tim …

Që të mos keqkuptohemi, kam thënë do të shoh pozicionin tim nëse atë që kemi kërkuar nuk realizohen. Procesi ende nuk ka përfunduar, kohën e kemi përpara. Është një proces që mund të zgjasë një apo dy muaj, një ligj nuk bëhet për 24 orë. Unë e kam target, që nëse nuk e realizojmë këtë që po kërkojmë, nuk kam pse të rri, sepse nuk ka kuptim, kjo qëndron.

Pse u vonua shumë për të marrë këtë vendim kur e dinit që do të duhet kohë për t’i plotësuar kërkesat?

Për tri pikat e para ne kemi rëndë dakord me Ministrinë e Financave dhe për t’i zgjidhur, sigurisht jo 100%  por në masë të kënaqshme. “Thembra e Akilit” është Ligji i Sponsorizimit, për të cilin po vazhdojnë të këmbëngulim dhe negociojmë, që të pranohet varianti ynë, sepse është më funksional, më i pranueshëm për komunitetin e sportit dhe më i realizueshëm në fund të fundit.

Çfarë ju bën të mendoni që premtimi i Ramës do të mbahet?

Premtimi i kryeministrit që në vitin 2019 është ky që po diskutojmë tani. Kjo paketë për të cilin po flasim sot ka qenë pjesë e atij diskutimi që është bërë marsin e vitit të kaluar. Pra nuk kemi një situatë të re, por një angazhim më të madh dhe konkret të qeverisë për t’i realizuar këto kërkesa.

Si janë zgjidhur kërkesat për zgjatjen e zerimit të tatimit mbi fitimin dhe TVSH-së?

Sa i përket zgjatjes së shmangies së tatimit mbi të ardhurat debati ka qenë nëse është e mjaftueshme koha prej dy vjetësh për të formalizuar sportin. Ne do ta shohim në dinamikë dhe nëse nuk do të mjaftojë koha, do të kërkojmë një shtyrje tjetër. Sa i përket TVSH-së, 6% i TVSH-së është i lidhur me shërbimet. Nëse futet në paketë ne shërbimeve, është problem i zgjidhur.

(Kosova Sot Online