S’ka marrëveshje për Dybalan, agjenti i futbollistit largohet nga Torino

  • 31 October 2020 - 13:41
S’ka marrëveshje për Dybalan, agjenti i futbollistit largohet nga Torino

Pas një muaji qëndrim në Torino, menaxheri i Paulo Dybalës dhe drejtuesit e Juventusit nuk arritën marrëveshje për rinovimin e kontratës së sulmuesit argjentinas dhe shtynë gjithçka për në muajin janar.

Mediat italiane raportojnë se kërkesat e Dybalës janë cilësuar të ekzagjeruara nga drejtuesit e Juventusit, që kanë ofruar shumë më pak për zgjatjen e kontratës, por kanë lënë gjithçka të hapur për ta diskutuar në janar.

Kjo pasi numri 10 i klubit bardhezi kërkon një pagë prej 15 milionë eurosh neto dhe një rol protagonisti në skuadër, ndërsa drejtuesit e Juves kanë preferuar të marrin kohë dhe të shohin si do të ndryshojë situata e krijuar nga pandemia.

Në kushtet aktuale, kur luhet me stadiume të mbyllura dhe kur ekziston rreziku i ndërprerjes sërish të futbollit, Juventusi nuk mund t’i ofrojë Dybalës një pagë të tillë për 5 vitet e ardhshme, por gjërat mund të jenë ndryshe nëse situata rikthehet në normalitet.

(Kosova Sot Online )