Sllovenisë i rikthehen dy yjet kryesore për ndeshjen kundër Kosovës

  • S.A /
  • 02 November 2020 - 13:49
Sllovenisë i rikthehen dy yjet kryesore për ndeshjen kundër Kosovës

Sllovenisë i rikthehen dy yjet kryesore për ndeshjen kundër Kosovës

Josip Ilicic dhe Andraz Sporar janë kthyer në ekipin kombëtar të Sllovenisë për ndeshjet e nëntorit, përfshirë për takimin me Kosovën në Ligën e Kombeve në Lubjanë.

Sulmuesi i Sporting CP Sporar dhe mesfushori sulmuesi i Atalantës Ilicic munguan në fitoren e Sllovenisë 1:0 kundër Kosovës në takimin e tetorit në Prishtinë. Sporar ishte detyruar ta braktiste kampion slloven para ndeshjes me Kosovën për shkak të një lëndimi, derisa Ilicic mungoi në të gjitha takimet e Sllovenisë këtë vit për shkaqe personale.

Megjithatë, kjo dyshe e rrezikshme është kthyer tashmë dhe bën pjesë në ekipin kombëtar slloven për ndeshjet e nëntorit.

Sllovenia e pret Kosovën në Arenën Stozice në Lubjanë më 15 nëntor, në ndeshjen e parafundit në Grupin 3 në Ligën C.

Por edhe Kosovës pritet t’i rikthehen yjet kryesore, si Vedat Muriqi, Amir Rrahmani dhe Milot Rashica për këto ndeshje.

Kosova do të përballet me Shqipërinë më 11 nëntor në një ndeshje miqësore, e para se të udhetojë drejt Lubjanës për takimin me Slloveninë tri ditë më vonë.

Në 18 nëntor, verdhekaltrit e presin Moldavinë në Prishtinë në takimin e fundit të grupit në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve.

Kombëtarja dardane do të përpiqet ta shmangë rënien në Ligën D, nga e cila u promovua sezonin e kaluar.

Kosova është e parafundit në grup me vetëm 2 pikë, tetë më pak se liderja Sllovenia dhe një më shumë se vendi i fundit, Moldavia. 

(Kosova Sot Online )