Kosova përballet sot me Shqipërinë në një ndeshje miqësore në Elbasan

  • S.A /
  • 11 November 2020 - 09:24
Kosova përballet sot me Shqipërinë në një ndeshje miqësore në Elbasan

Kosova do të përballet me Shqipërinë në një ndeshje që po cilësohet si vëllazërore në Elbasan, në prag të dy ndeshjeve përmbyllëse në Ligën e Kombeve këtë muaj.

Shqipëria do të jetë mikpritëse e Kosovës në Elbasan Arena sot në orën 16:00, në takimin e dytë miqësor që prej formimit kombëtares verdhekaltër.

Kjo miqësore nuk ishte e planifikuar dhe ndodhi rastësisht.

Shqipëria duhej të luante me Gjibraltarin në këtë orar, por ndeshja u anulua shkaku i pandemisë koronavirus. Kosova e shfrytëzoi mundësinë për të luajtur ndeshje miqësore me kuqezinjtë duke qenë se ishte e detyruar kundërshtar për këtë datë gjithsesi.

Kosova dhe Shqipëria nuk janë përballur asnjëherë në një ndeshje zyrtare.

Ky do të jetë vetëm takimi i dytë miqësor mes Shqipërisë dhe Kosovës që prej pranimit të kësaj të fundit në FIFA dhe UEFA më 2016.

Kosova e fitoi bindshëm 3:0 takimin e vetëm deri tani kundër Shqipërisë pasi u pranua si kombëtare, falë dy golave nga Arbër Zeneli dhe një nga Edon Zhegrova në stadiumin Letzigrund në Zvicër më 2018.

Derisa trajneri i Kosovës Bernard Challandes tha se e sheh këtë takim si mundësi të mirë për t’u përgatitur për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022, që nisin në mars, homologu i tij Edi Reja tha se me dëshirë nuk do të luante kundër verdhekaltërve.

Challandes tha: “Shqipëria ka lojtarë të mirë, që luajnë në liga të forta, ka ekip të mirë. Disa prej tyre nuk do të jenë prezentë në këtë takim, por mendoj se është një kundërshtar mjaft i mirë për momentin.”

Duke iu referuar lidhjeve të ngushta vëllazërore mes kuqezinjve dhe verdhekaltërve, trajneri i Shqipërisë Reja tha:  “Po të kisha mundësi, do ta evitoja miqësoren me Kosovën, por s’kishim alternativa të tjera. U gjendëm në një moment të vështirë. Besoj se do t’i gjejmë motivimet për të luajtur një ndeshje të mirë. Është një ndeshje e ndier nga të dyja tifozëritë, do të mundohem të hedh në fushë një formacion konkurrues. Do të doja që të mbetej miqësore dhe mos ketë më shumë grinte se ç’duhet.”

Ndërkohë, Kosova dhe Shqipëria do të jetë në zëna me ndeshje në Ligën e Kombeve më vonë atë muaj.

Dardanët më 15 nëntor do të jenë mysafirë të Sllovenisë, derisa më 18 nëntor do të jenë mikpritës të Moldavisë.

Ndërkaq, kuqezinjtë më 15 nëntor do të luajnë ndaj Kazakistanit dhe më 18 nëntor kundër Bjellorusisë.

(Kosova Sot Online )