Allegri refuzon PSG-në, është në pritje për drejtimin e gjigantit italian

  • S.A /
  • 13 November 2020 - 09:31
Allegri refuzon PSG-në,  është në pritje për drejtimin e gjigantit italian

Massimiliano Allegri vazhdon të mbetet një trajner i lirë edhe pse ka shumë oferta në drejtim të tij.

Së fundmi ka qenë kampioni në fuqi i Francës, Paris Saint Germain që kanë tentuar ta afronin italianin.

Drejtuesit e PSG-së nuk janë të kënaqur aspak me gjermanin Thomas Tuchel dhe dëshira e tyre e madhe mbetet Allegri.

Tekniku italian ka arritur suksese të mëdha me Juventusin, por ai tanimë është i lirë.

Ka qenë e përditshmja franceze Sport.fr që ka dhënë lajmin se italiani tanimë ka refuzuar parisienët.

Gjithnjë sipas këtij mediumi, dëshira e madhe e Allegrit është ta marrë drejtimin e Interit, pasi homologu i tij Antonio Conte nuk e ka të ardhmen e sigurt në krye të zikaltërve.

“Mund të kishte qenë një sfidë interesante, por Allegri ëndërron të stërvitë Interin tashmë dhe jo më PSG-në, me të cilën ka qenë në kontakte të vazhdueshme, edhe kur drejtonte në Torino”, ka shkruar Sport.fr.

Gjithsesi javët në vazhdim priten të jenë vendimtare për të ardhmen e Allegrit. 

(Kosova Sot Online )