Lëndime, pezullime, Covid-19 e telashe me dokumente – mungesat e shumta të Kosovës kundër Sllovenisë

  • E.K /
  • 15 November 2020 - 16:41
 Lëndime, pezullime, Covid-19 e telashe me dokumente – mungesat e shumta të Kosovës kundër Sllovenisë

Kosova do të përballet me mungesa të mëdha në ndeshjen e saj të parafundit në Ligën e Kombeve, sonte kundër Sllovenisë në Lubjanë. Hiç më pak se nëntë futbollistë s’do të gjejnë në gjendje të paraqiten për verdhekaltrit për shkaqe të ndryshe, si lëndime, pezullime, Covid-19 dhe probleme me dokumente.

Ndeshja e xhiros së parafundit në Grupin 3 të Ligës C mes Sllovenisë dhe Kosovës do të zhvillohet në Stadiumin Stoëice Sports Park, pa praninë e shikuesve, duke filluar në orën 20:45.

Ekipi kombëtar i Kosovës, i thelluar në krizë rezultatesh, do ta kërkojë fitoren e parë në vitin 2020 dhe njëkohësisht në këtë edicion të Ligës së Kombeve, kundër një Sllovenie që ka treguar formë të lartë kohët e fundit dhe duket të jetë favorite për ta fituar grupin.

Kombëtarja dardane do të drejtohet nga ndihmëstrajneri i parë, Muharrem Sahiti, pasi trajneri Bernard Challandes është infektuar me koronavirus.

Derisa dyshja e padiskutueshme Vedat Muriqi dhe Amir Rrahmani u rikthyen, dardanët do të jenë pa Herolind Shalën, Benjamin Kolollin, Bersant Celinën, Idriz Vocën, Florent Muslijën, Arbër Zenelin, Milot Rashicën, Leart Paqaradënë dhe Betim Fazlijin.

Të pezulluar:

Herolind Shala, Benjamin Kololli

Të lënduar:

Bersant Celina, Idriz Voca, Florent Muslija dhe Arbër Zeneli

Të kufizuar nga Covid-19:

Milot Rashica dhe Leart Paqarada

Probleme me dokumente:

Betim Fazliji

Sllovenia e fitoi 1:0 ndeshjen e parë kundër Kosovës muajin e kaluar në Prishtinë.

Në këto dy ndeshje të mbetura, Kosova do të luftojë për ta shmangur rënien nga Liga C, sepse renditet e parafundit në grup me vetëm dy pikë, pas dy barazimeve dhe dy humbjeve, në një luftë të drejtpërdrejt me Moldavinë që renditet e fundit me një pikë.

Derisa Kosova po e përjeton një krizë të madhe rezultatesh këtë vit, edhe pse e pati një edicion mahnitës 2019/20 në garën e UEFA-s kur edhe u promovua nga Liga D, Sllovenia është në formë shumë të mirë dhe nuk e ka humbur asnjë ndeshje garuese që një vit.

Kosovës iu bën një vit që nuk ka shijuar fitore në një ndeshje garuese, kur e mundi 2:0 Malin e Zi në tetor të 2019-s në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.

Pas takimit të sotëm, Kosova do ta presë Moldavinë në Prishtinë të mërkurën, në ndeshjen e fundit në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

(Kosova Sot Online)