Përçarje në Kombëtaren e Serbisë, Tadici Kolarovit: Na tradhtove

  • S.A /
  • 17 November 2020 - 16:02
Përçarje në Kombëtaren e Serbisë, Tadici Kolarovit: Na tradhtove

Kanë nisur përçarjen në Kombëtaren e Serbisë, pas humbjes në finalen e cila do t’i dërgonte në Kampionatin Evropian 2020. Sulmuesi Dusan Tadic e ka quajtur tradhtar kapitenin e vet Aleksandar Kolarov, i cili kishte refuzuar të futej në lojë.

Serbia u mposht nga Skocia në penallti në finalen e play-off javën e kaluar dhe si pasojë nuk do të marrë pjesë në Evropian që do të mbahet vitin e ardhshëm.

Sulmuesi i Ajaxit i ka telefonuar mbrojtësit të Interit menjëherë pasi Serbia u eliminua, duke e quajtur tradhtar përse nuk kishte pranuar të futej në lojë në sekondat e fundit të ndeshjes.

Ndeshja u mbyll baras 1:1 pas 120 minutave lojë dhe Kolarov nuk shkeli në fushë asnjëherë për shkak të një lëndimi që e kishte para ndeshjes së Interit kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve.

Tani mungesa e tij do të zgjatet për shkak se është prekur nga COVID-19, por Kolarovit i ishte kërkuar të futej në lojë në minutën e 119-të kundër Skocisë.

Ai kishte refuzuar të futej në lojë, pavarësisht se trajneri Tumbakovic kishte dashur t’i shfrytëzonte përvojën dhe aftësitë e tij në penallti.

Sipas Sportsku Zurnal, Tadic e kishte telefonuar Kolarovit pas humbjes, duke i thënë: “Kapiten, na tradhtove”. 

(Kosova Sot Online )