Reja me nota interesante : Ibrahimovic më i kompletuar se Ronaldo

  • S.A /
  • 23 November 2020 - 10:54
Reja me nota interesante  : Ibrahimovic më i kompletuar se Ronaldo

Trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja, e ka lartësuar sulmuesin e Milanit, Zlatan Ibrahimovic, duke thënë se suedezi është më i kompletuar se sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo.

Ibrahimovic i shënoi dy gola në fitoren e Milanit 3:1 kundër Napolit, falë të cilës kuqezinjtë janë në krye të renditjes.

39-vjeçari u bë lojtari më i vjetër që i shënon 10 gola në tetë ndeshjet e para në Serie A, duke e thyer rekordin e Silvio Piolas së Lazios nga sezoni 1942/43.

“Ardhja e Ibrahimovic ka qenë vendimtare për Milanin, por edhe Pioli ka formuar një skuadër të fortë. Gjiganti suedez është shndërruar në njeriun simbol të skuadrës që luan shumë mirë futboll. Kur humbin topin, ata vrapojnë me shumë këmbëngulje, për ta rikuperuar menjëherë. Kanë organikën e duhur për të arritur zonën Champions, ndonëse do të ishte mirë t’i shtohej edhe pak cilësi”, u shpreh Reja.

Më pas trajneri i Shqipërisë ka komentuar edhe momentin e mirë që po kalon Zlatan Ibrahimovic, i cili ndonëse me 39 vite mbi supe, ka shënuar më shumë se kushdo në këtë start të sezonit dhe po udhëheq skuadrën në krye të renditjes.

“Ibra ka fituar shumë eksperiencë dhe për më tepër tani nuk është më egoist si më parë. Tani luan më shumë për skuadrën, por në aspektin karakterial. Ronaldo për shembull është një lojtar më individual, Ibra është me të vërtetë i plotë”, deklaroi trajneri Reja.

(Kosova Sot Online )