E bujshme: Maicon po kthehet në Itali në moshën 39-vjeç

  • S.A /
  • 24 November 2020 - 11:23
E bujshme: Maicon po kthehet në Itali në moshën 39-vjeç

Një emër i madh i futbollit pritet të kthehet në Itali. Bëhet fjalë për brazilianin Maicon, të cilin me nostalgji e kujtojnë tifozët e Interit dhe ata të Romës.

Edhe pse në moshë të shtyrë, 39-vjeç, mbrojtësi anësor mund të kthehet në fushë, përkatësisht në Serie D të Italisë, te klubi Sonan.

 Këtë mundësi e ka paralajmëruar vet drejtori i këtij klubi, Claudio Ferrarese.

“Është e gjitha e vërtetë, një ide e lindur një muaj e gjysmë më parë, por akoma mbetet një ide sepse nuk ka diçka definitive. Ekzistojnë disa hapa të tjerë për ta përfunduar marrëveshjen, prandaj le të flasim për të, por pa e konsideruar punë të kryer”, ka thënë ai.

Ferrarese e ka treguar se si ka lindur edhe ideja e këtij transferimi të bujshëm.

“Ideja lindi përmes të njohurve të përbashkët. Maicon është ende duke luajtur dhe është mirë fizikisht. Pavarësisht moshës është ende në formë të  mirë. Ai ka shprehur dëshirën për t’u kthyer në Itali, ku ka disa biznese në Milano. Nëse vjen, ai do të jetojë në Verona, jo shumë larg nga qendra e tij e bizneseve, dhe do të luajë me ne për disa muaj, nga dhjetori deri në fund të sezonit. Do të shohim nëse do të ndodhë, do të ishte një ëndërr për ne, por derisa ta shoh nuk e besoj, për ne do të ishte një hap i madh”, ka deklaruar ai.

(Kosova Sot Online )