Drita e Feronikeli ndajnë pikët në derbi, Arbëria befason edhe Gjilanin

  • S.A /
  • 24 November 2020 - 15:49
Drita e Feronikeli ndajnë pikët në derbi, Arbëria befason edhe Gjilanin

Kanë përfunduar dy ndeshjet e zhvilluar në ditën e sotme të xhiros së 14-të në Superligën e Kosovës.

Derbi në mes Dritës dhe Feronikelit përfundoi me rezultat të barabartë 1:1, ndërsa Arbëria arriti ta befasojë Gjilanin duke e mposhtur me rezultat minimal 1:0.

Kampionia në fuqi, Drita, dhe Feronikeli nga Drenasi, ndanë pikët. “Nikli” arriti të kalonte në epërsi gjatë pjesës së parë falë golit të Mendurim Hotit, i cili shënoi në minutën e 40-të.

Drita arriti ta barazojë rezultatin në minutën e 75-të me anë të Almir Ajzeraj. Ky gol erdhi vetëm një minutë pas një goli që iu anulua Feronikelit për pozitë jashtë loje.

Por, që ndeshja nuk përfundoi edhe pa karton të kuq, Argjend Malaj i Feronikelit u ndëshkua në minutën e 80-të.

Ndërsa ndeshja tjetër e zhvilluar në mes Arbërisë dhe Gjilanit i takoj skuadrës nga Dobraja me rezultat minimal 1:0, të cilët befasuan gjilanasit duke kaluar në epërsi në minutën e 77-të me anë të Lutfi Bilalit.

Drita gjendet në pozitën e dytë, me 27 pikë të grumbulluara por që ka dy ndeshje më pak të zhvilluara, ndërsa Feronikeli gjendet në pozitën e poshtme të tabelës me 16 pikë.

Arbëria me fitoren e sotme është larguar nga zona e kuqe, ndërsa Gjilani qëndron ende në pozitën e tretë me 23 pikë gjatë 13 ndeshjeve të zhvilluara.

(Kosova Sot Online )