Trajneri i Suedisë flet për rikthimin e mundshëm të Ibrahimovicit në kombëtare

  • S.A /
  • 25 November 2020 - 10:26
Trajneri i Suedisë flet për rikthimin e mundshëm të Ibrahimovicit në kombëtare

“Nuk e kam parë prej kohësh”. Kjo ishte mënyra që zgjodhi Zlatan Ibrahimovic në fillim të nëntorit për të treguar se i mungon fanella e përfaqësueses së Suedisë, nga e cila u tërhoq në vitin 2016.

Thuajse 6 muaj para Kampionatit Europian, 39-vjeçari dha një mesazh për drejtuesit e Federatës Suedeze të Futbollit dhe për trajnerin Janne Anderson, i cili në një prononcim të fundit bën prapakthehu nga qëndrimi i tij i disa javëve më parë, teksa ishte shprehur se Ibra te Suedia ishte një çështje e mbyllur.

“Së pari, është e nevojshme që ai vetë ta thotë që dëshiron të përfshihet në projekt, sepse në vitin 2016 ai më tha qartë se nuk dëshironte më të bëhej pjesë e kombëtares. Pastaj, në vitet në vijim respektova zgjedhjen e tij. Tani i takon atij që të thotë nëse dëshiron të kthehet dhe, nëse po, në atë moment më takon mua të vendos”.

Sidoqoftë, trajneri suedez nuk duket i bindur se Ibrahimovic, ndeshja e fundit e të cilit në kombëtare daton në “Euro2016”, dëshiron vërtet të kthehet.

“Ne nuk jemi parë për një kohë të gjatë, unë nuk e ndjek në rrjetet sociale dhe në çdo rast nuk më intereson se çfarë thotë atje. E di se çfarë thamë kur u largua nga ekipi kombëtar dhe, me sa di unë, asgjë nuk ka ndryshuar që nga ajo kohë”.

Nga ana tjetër, Anderson nuk i shpëton dot komentit mbi “rininë e dytë” që po përjeton Ibra.

“Nuk jam i befasuar, nëse diçka më bën përshtypje është fakti që ai ende ka gjithë këtë uri. Në fund të fundit po flasim për një sportist të madh, lojtarin më të madh suedez të të gjitha kohërave.

(Kosova Sot Online )