Conte rigjen Interin e sezonit të kaluar, 4 aspektet që e sollën ndryshimin

  • S.A /
  • 03 dhjetor 2020 - 12:48
Conte rigjen Interin e sezonit të kaluar, 4 aspektet që e sollën ndryshimin

Humbja ndaj Realit të Madridit në “San Siro” ishte edhe fundi i eksperimenteve për Antonuio Conten, që vendosi të heqë dorë nga prova për të luajtur me një fantazist pas dyshes sulmuese dhe u rikthye te rreshtimi i tij i preferuar 3-5-2.

Rezultati ishte I menjëhershëm, pasi Interi bëri të dukej e lehtë një transfertë e komplikuar si ajo ndaj Sassuolos, ku fitoi 0-3 dhe më pas shënoi 3 gola edhe në portën e Borussia Monchengladbach, ku triumfoi me rezultatin 2-3 dhe rindezi shpresat për kualifikim në fazën e 1/8-ave të Champions League.

Mediat italiane kanë analizuar edhe 4 ndryshimet që ka pësuar Interi në dy ndeshjet e fundit, duke u rikthyer të luajë si skuadër e madhe dhe duke bindur plotësisht me performancën e saj.

1. Gjendja psikologjike – Antonio Conte ribashkoi ekipin edhe në dhomat e zhveshjes, duke qëndruar shpesh në këmbë si rrufepritës, në çdo moment vështirësie. Filloi të dallohej qartë sjellja e Contes në publik, me atë në stërvitje, ku lojtarët e përshkruajnë si një “çekiç që u rri mbi kokë”. Megjithatë së fundi trajneri u rikthye agresiv në daljet mediatike dhe teoria “ne kundër të gjithëve” duket se po funksionon.

2. Taktika – trajneri zikaltër hoqi dorë përfundimisht nga eksperimenti për të luajtur me 3-4-1-2, pra një fantazist pas dyshes sulmuese dhe arriti të gjejë menjëherë ekuilibrat e duhur. Tashmë skuadra luan me rreshtimin 3-5-2 dhe një organizator para mbrojtjes, që kujdeset për të ruajtur ekuilibrat dhe dikton kohët e daljes në sulm. Me skemën me fantazist skuadra kishte humbur kontrollin e topit, që nga 61.5% kishte rënë në 44.4% dhe epërsinë territorial që kishte rënë nga 59.5% në 45.6%. Siguritë e vjetra mund të duken pak modern, por garantojnë qëndrueshmëri dhe rezultate të mira.

3. Gjendja fizike – Pandemia ka ndryshuar dhe po ndikon jo pak në të gjithë klubet, por pas ndërprerjes së parë në muajin tetor, Interi u godit nga koronavirusi dhe 6 të prekur, plus të tjerë të dëmtuar, ndikonin jo pak në ndërtimin e formacionit. Tani zikaltrit kanë marrë frymë në këtë aspekt dhe më në fund Conte ka kohë të mendojë edhe për të lënë pushim lojtarë të caktuar si Lukaku, Barella apo Lautaro.

4. Qasja në fushë – Nuk është më Interi i fillimit të sezonit ,që reagonte vetëm pasi pësonte një gol, pasi tani zikaltrit futen të bindur për të fituar që në sekondën e parë dhe kjo u pa qartë edhe ndaj Sassuolos, ku shënuan dy gola për 13 minuta, por edhe ndaj Borussia Monchengladbach, ku kërkonin kontrollin e lojës vazhdimisht.

(Kosova Sot Online )