Spanja vs Kosova: Spanja i kishte vuajtur pasojat e mosnjohjes së simboleve të Kosovës në të kaluarën

  • S.A /
  • 08 December 2020 - 12:32
Spanja vs Kosova: Spanja i kishte vuajtur pasojat e mosnjohjes së simboleve të Kosovës në të kaluarën

Ballafaqimi i Kosovës me Spanjën në fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2022 vitin e ardhshëm ka ngritur polemika dhe ka ngjallur reagime, duke e ditur se vendi i Gadishullit Iberik nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës. Por Spanja ishte përballur me pasoja për mosnjohjen e simboleve shtetërore të Kosovës në ngjarje sportive të mbajtur në vendin e saj.

Në shortin e hedhur të hënën në Zvicër, Kosova mësoi se do të luajë në Grupin B bashkë me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë, katër kombëtare, tri prej të cilave s’e kanë njohur pavarësinë e saj.

Verdhekaltërve i ra shorti të luajnë në Grupin A, në fakt, por duke qenë se në atë grup ishte edhe Serbia, atëherë ata u zhvendosën në Grupin B, sipas rregullave të shortit të FIFA-s. Për çështje politike, Kosova nuk mund të ishte në një grup me Serbinë, Rusinë dhe Bosnjën.

Spanja s’e njeh Kosovën kryesisht për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila kishte votuar unanimisht në një referendum në vitin 2017 për t’u pavarësuar nga Spanja.

Në të kaluarën, Spanja nuk i kishte njohur simbolet e shtetit të Kosovës në organizimet e saj të ngjarjeve sportive.

Kosova ishte detyruar të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare në Tarragona dhe në Kampionatin Botëror të Karatesë në Madrid në vitin 2018 pa simbole shtetërore, për shkak të qëndrimit të qeverisë spanjolle.

Pas ankesës së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe kërkesës që Spanjës të mos i lejohet organizimi i ngjarjeve sportive, nëse s’i pranon atletet kosovarë me simbole shtetërore dhe me të drejta të barabarta me atletët e vendeve të tjera, qeveria spanjolle kishte premtuar se do ta pranonte Kosovën si të barabartë me vendet e tjera në ngjarje sportive të mbajtura në Spanjë.

Por vetëm një vit më vonë, Spanja i vuajti pasojat e mos pranimit të simboleve shtetërore të Kosovës.

Në vitin 2019, UEFA ia hoqi Spanjës organizimin e ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Evropian U-17, sepse kishte refuzuar t’i njihte simbolet shtetërore të Kosovës.

Spanja duhej t’i organizonte ndeshjet e Grupit 5, në të cilin bënin pjesë vetë ajo, Kosova, Greqia dhe Ukraina. UEFA vendosi që ndeshjet të zhvilloheshin në Zvicër.

Federata e Futbollit e Spanjës u detyrua t’i paguajë të gjitha shpenzimet e dy ndeshjeve me Kosovën në Nyon.

Spanja tani përballet me një dilemë edhe të madhe, sepse i duhet ta mirëpresë Kosovën dhe të udhëtojë drejt Prishtinës për dy ndeshjet kokë me kokë në kualifikime për Katari 2022.

Spanja mund të kërkojë që Kosovën të mos e mirëpres në tokën e vet dhe loja të zhvillohet në një teren neutral.

Por ajo mund të detyrohet të udhëtojë drejt Prishtinës për t’u ballafaquar me dardanët në ndeshjen e saj si mysafire.

Moldavia, e cila s’e njeh Kosovën po ashtu, ishte detyruar ta vizitonte Prishtinën për t’u përballur me dardanët në një ndeshje të Ligës së Kombeve, pavarësisht se nuk e kishte mirëpritur Kosovën në Moldavi, pasi iu pranua kërkesa që ndeshja që ajo duhej ta organizonte të zhvillohej në Parma të Italisë.

(Kosova Sot Online )