Duka: Rossin ishte frymëzim për shqiptarët gjatë kohëve të vështira

  • S.A /
  • 10 December 2020 - 14:39
Duka: Rossin ishte frymëzim për shqiptarët gjatë kohëve të vështira

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e ka marrë me trishtim të madh lajmin për vdekjen e legjendës dhe heroit të Italisë, Paolo Rossi, për të cilin thotë se ishte burim frymëzimi për shumë shqiptarë gjatë kohëve të vështira të komunizmit në Shqipëri.

Paolo Rossi, ylli i ekipit kombëtar të Italisë që e fitoi Kupën e Botës në vitin 1982, vdiq  të mërkurën mbrëma në moshën 64-vjeçare.

Lajmi për vdekjen e tij u bë edhe nga televizioni italian RAI Sport, për të cilin Rossi po punonte si ekspert futbolli.

Shefi i futbollit shqiptar i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut të tij, kreut të Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina.

“Me trishtim mësova lajmin tronditës të ndarjes nga jeta të Paolo Rosit, një ish-futbollist i shkëlqyer i klasit botëror dhe një idhull për shumë breza. Ai ishte një burim frymëzimi për shumë shqiptarë gjatë periudhës së vështira të komunizmit përmes emocioneve dhe gëzimit që na dhuroi në finalet e Botërorit 1982”, shkruhet në telegramin e ngushëllimit të Dukës.

“Sot futbolli humbi një tjetër emër të madh dhe Paolo meriton një vend të veçantë në hollin e famës të historisë së futbollit. Në emër edhe të Federatës Shqiptare të Futbollit dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Rosi, Federatës Italiane të Futbollit dhe komunitetit italian të futbollit”.

Ish-lojtari i Juventusit dhe Milan njihej si njëri prej sulmuesve më të mirë të të gjitha kohëve dhe ishte më së shumti i famshëm për lojën heroik në Kupën e Botës 1982 në Spanjë.

Rossi luajti në Serie A gjatë gjithë karrierës, duke i fituar dy tituj në ligë dhe duke i ndihmuar Juventusit ta fitojë Kupën Evropiane më 1984.

Ai është fituesi i dytë i Kupës së Botës që vdes brenda dy javëve, pas Diego Armando Maradonës që vdiq nga sulmi në zemër.

(Kosova Sot Online )