COVID-i, lëndimi dhe vetëm një asistim, Muriqi është një mister tek Lazio

  • S.A /
  • 11 December 2020 - 15:23
COVID-i, lëndimi dhe vetëm një asistim, Muriqi është një mister tek Lazio

Sulmuesi kosovar nuk ka arritur ende të lërë gjurmë në ekipin italian, pavarësisht se atij i është dhënë rasti disa herë. Të gjithë presin që 26 vjeçari të shpërthejë pas festave të fundvitit

Eksperienca e Vedat Muriqit tek Lazio nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme.

Sulmuesi kosovar nuk po arrin ende të ambientohet në ekipin italian, të cilit iu bashkua në fund të verës nga Fenerbahçe për 17,5 milionë euro, plus 1,5 milion të tjera nga premitë.

Prizrenasit iu dha rasti disa herë, sidomos kur mungonte Ciro Immobile, por ai nuk ia doli të linte gjurmë në ekipin e Simone Inzaghit.

Ai i ka zhvilluar 293 minuta dhe ka treguar pak, shkruan portali italian “ilmessaggero.it”.

Deri tash e ka dhuruar vetëm një asistim, edhe pse detyrë e tij është goli.

Natyrisht, ai kishte edhe arsye pasi së pari vinte nga një lëndim që e kishte pësuar me ekipin turk, e më pas u prek edhe nga koronavirusi.

Sidoqoftë, tifozët e Lazios po i presin me padurim golat e 26 vjeçarit.

Dhe, kjo pritje do të zgjasë deri në fund të sezonit dhe nëse golat nuk arrijnë deri në atë periudhë, ish-futbollisti i Rizesporit rrezikon ta ketë fatin e Valon Berishës, duke u huazuar në një ekip tjetër apo duke u shitur përfundimisht.

Në Lazio është e qartë se Muriqi ka konkurrencë të fortë pasi krahas tij në sulm synojnë të luajnë Immobile, Correa dhe Caicedo.

Ky i fundit e shfrytëzoi rastin disa herë duke shënuar gola apo duke kontribuuar në mënyra të tjera në fushën e blertë.

Dy golat që i shënoi së fundmi me Kosovën nuk e kanë ndihmuar ende Muriqin që të “çelet” edhe tek Lazio.

Shpresojmë që pas festave të fundvitit ta shohim Vedat Muriqin e vërtetë.

(Kosova Sot Online )