Ballkani e shkarkon trajnerin Ismet Munishi

  • S.A /
  • 23 December 2020 - 16:06
Ballkani e shkarkon trajnerin Ismet Munishi

Ballkani e ka shkarkuar trajnerin Ismet Munishi, pas rezultateve të dobëta para pushimit dimëror në Superligë.

Ballkani i humbi tri prej pesë ndeshjeve të fundit para përfundimit të pjesës së parë të sezonit, duke bërë hap të madh prapa në garë për titull.

Tri disfata kundër tre rivalëve të drejtpërdrejt për titull, kundër Dritës dhe pastaj kundër Prishtinës dhe ndaj Gjilanit radhazi para se Superliga të shkonte në pushim dimëror, e kanë shtyrë klubin nga Suhareka t’i ndajë rrugët me Munishin. 

Munishi e konfirmoi shkarkimin për mediat në vend, duke thënë për Kanal 10: “Po është e vërtetë, mënyra sesi ka ndodhur shkarkimi im nuk është për media”.

Munishi ishte shumë pranë ta udhëhiqte Ballkanin drejt titullit të parë në Superligë në historinë e klubit sezonin e kaluar, por u mund në garë për të nga Drita në javën e fundit.

Dhe tani, kur Ballkani ishte lider shumicën e kohës gjatë pjesës së parë të sezonit, Drita ia rrëmbeu kreun sërish dhe krijoi një epërsi prej tri pikëve ndaj tij.

Për shkak të humbjeve dhe formës së dobët të skuadrës së tij, Munishi e humbi toruan duke ofenduar dhe sharë analistët dhe të tjerët në rrjetet sociale, gjë për të cilën kërkoi falje dhe u pendua më vonë.

Kohëzgjatje e marrëveshjes së Munishit me Ballkanin nuk ishte bërë e ditur asnjëherë, por presidenti i Ballkanit kishte thënë në Facebook në verë se “Baba i trajnerëve në Shqiptari ka kontratë edhe 20 vjet në FC Ballkani edhe nëse kurrë nuk bëhemi kampion”. 

Munishi ishte emëruar trajner i Ballkanit në qershor të vitit 2019 dhe dështoi t’ia fitojë ndonjë trofe klubit portokalli gjatë një sezoni e gjysmë.

Ai arriti në finale të Kupës së Kosovës, ku u mund nga Prishtina dhe dështoi ta siguronte ndonjë vend për pjesëmarrje në kualifikime për garat evropiane edhe pse ishte favorit kryesor për titull në ligë.  

(Kosova Sot Online )