Chelsea ka nevojë për sulmues vrastarë, thotë Lampard

  • S.A /
  • 11 January 2021 - 09:45
Chelsea ka nevojë për sulmues vrastarë, thotë Lampard

Frank Lampard mendon se Chelsea nuk ka mjaftueshëm sulmues të pamëshirshëm para portës, pavarësisht fitores mbresëlënëse 3:0 kundër Morecambe në rrethin e tretë të FA Cup të dielën.

Lampard e përdori atë ndeshje si ushtrim për ndërtimin e besimit të skuadrës duke e zgjedhur një formacion të fortë startues kundër klubit nga League Two – niveli i katërt i futbollit anglez.

Timo Werner shënoi pas plot 13 ndeshjeve dhe Kai Havertz i dha fund një ecuri prej 15 ndeshjeve pa gol.

Dyshja gjermane që i kushtoi shumë klubit në verë, kaloi nëpër këtë ecuri tejet negative gjatë një kohe kur klubi përjetoi formë të dobët duke e fituar vetëm njërën prej gjashtë ndeshjeve të fundit në ligë.

Trajneri Lampard tha pas ndeshjes se problemi i skuadrës së tij është mungesa e instinktit vrastar.

“Ajo çfarë nuk mund të kërkojmë nga të rinjtë e kësaj skuadre nganjëherë është të jenë absolutisht konsistentë dhe të jenë vrastarë, siç janë lojtarët e tjerë në ligë”, tha Lampard.

“Do ta tregojnë këtë me kohë, por djelmoshat tanë po japin kontribut të mirë për momentin”.

“Duhet të jenë vrastarë në mënyrën më të mirë dhe shpresoj se njerëzit e kuptojnë çfarë nënkuptoj. Lojtarët tanë janë të rinj me shumë potencial”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online