Jurgen Klopp e lartëson Shaqirin për paraqitjen kundër Manchester Unitedit

  • S.A /
  • 19 January 2021 - 15:24
Jurgen Klopp e lartëson Shaqirin për paraqitjen kundër Manchester Unitedit

urgen Klopp e ka vlerësuar lart paraqitjen e Xherdan Shaqirit në barazimin kundër Manchester Unitedit të dielën në Premierligë, duke thënë se është i lumtur për ndikimin e shqiptarit në skuadrën e tij.

Shaqiri shkëlqeu në paraqitjen e parë si titullar pas lëndimit në barazimin 0:0 me Unitedin në Anfield.Përfaqësuesi i Kombëtares së Zvicrës luajti titullar për të kuqtë për herë të parë që prej dhjetorit të vitit 2019, pasi shumicën e vitit 2020 e kaloi i lënduar.

Ai luajti 76 minuta në Anfield dhe e mahniti trajnerin e vet me lojën dhe formën fizike në fushë.

“Shaq është në formën shumë të mirë fizike. Mbase ai ka mundur të luante më gjatë, por nuk isha i sigurt, sepse kishte shumë kohë pa luajtur. Por ai luajti shumë mirë, veçanërisht në pjesën e parë. Kjo na ndihmoi shumë. Jam shumë i lumtur për këtë”, tha Klopp.

29-vjeçari nga Gjilani ka kaluar nëpër një periudhë të vështirë në dy sezonet e fundit në Anfield, për shkak të lëndimeve të shpeshta, të cilat ia kanë pamundësuar të luajë mjaftueshëm.

Ai i bëri vetëm 11 paraqitje në të gjitha garat për Liverpoolin sezonin e kaluar.

Shaqiri është riaftësuar plotësisht tani dhe ndaj Unitedit e bëri paraqitjen e nëntë në të gjitha garat këtë sezon dhe do të shpresojë të luajë shumë më shpesh në të ardhmen.

(Kosova Sot Online )