“Tepër i fortë” – Xhaka e lavdëron bashkëlojtarin e vet në Arsenal

  • S.A /
  • 19 January 2021 - 15:39
“Tepër i fortë” – Xhaka e lavdëron bashkëlojtarin e vet në Arsenal

Granit Xhaka e ka vlerësuar lart ndikimin e Thomas Partey në skuadrën e Arsenalit, pasi mesfushori ganez la mbresa në rikthimin e tij nga lëndimi në ndeshjen e së hënës kundër Newcastle United.

Partey luajti titullar për herë të parë pas rreth një muaji dhe bëri paraqitje të shkëlqyer për t’i ndihmuar skuadrës së Mikel Artetës të fitojë 3:0 të hënën në Emirates.

27-vjeçari e përgatiti golin e epërsisë për topçinjtë me një asistim të mrekullueshëm për Pierre-Emerick Aubameyang dhe i kompletoi 55 prej 58 pasimeve para se të zëvendësohej nga Moamed Elneny kah mesi i pjesës së dytë.

Ishte një paraqitje mbresëlënëse nga blerja 50 milionëshe e verës nga Atletico Madridi dhe Xhaka – i cili ishte po aq mbresëlënëse përkrah tij në mesfushë – kishte vetëm fjalë të mira për shokun e skuadrës.

“Mund ta vëresh se ai sjell shumë përvojë dhe nivel të lartë të lojës. Ai fiton shumë duele dhe është shumë i mirë me topin në këmbë”, tha Xhaka për ganezin.

“Është shumë e rëndësishme ta kesh në ekip një lojtari si ai, për shkak të përvojës që e sjell ai në këtë ekip për të rinjtë. Ne jemi të lumtur me të”, shtoi Xhaka. 

(Kosova Sot Online )