Turqia i premton ndihmë Kosovës

  • S.A /
  • 21 January 2021 - 12:39
Turqia i premton ndihmë Kosovës

Federata e Futbollit të Turqisë i ka premtuar ndihmë dhe përkrahje futbollit kosovar. Turqit kanë premtuar se do ta ndihmojnë futbollin kosovar për implementimin e sistemit VAR, ndërsa pritet që ekspertët e futbollit turk të vijnë në Kosovës për të ndihmuar në këtë drejtim. Gjithashtu, është paraparë që edhe gjyqtarët kosovarë të shkojnë për seminare në Turqi për të mësuar më shumë rreth sistemit VAR. Ndër të tjera, krerët e futbollit turk e shprehën gatishmërinë për të ndihmuar në ndërtimin e një fushe stërvitore për fëmijët me nevoja të veçanta.

Gjithashtu, u diskutua edhe për gjetjen e mundësive për t’i ndihmuar klubet kosovare që të jenë sa më shumë të pranishme në kampet e Antalyas, ku shumica e klubeve të Evropës juglindore i kryejnë përgatitjet gjatë verës dhe dimrit. Presidenti i Federatës turke të Futbollit, Nihat Özdemir së bashku me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, në takimin e tyre në Turqi u dakorduan edhe për zhvillimin e një miqësoreje ndërmjet dy Kombëtareve në Stamboll, por e cila do të zhvillohet pas pandemisë. Kjo për shkak të interesimit të madh të tifozëve për një ndeshje të tillë, duke pasur parasysh edhe numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në Turqi. Ndër të tjera, u diskutua edhe për shkuarjen e ekipeve zinxhir të kombëtares së Kosovës për kampe në Turqi, pastaj bashkëpunimin për ngritjen e futbollit të femrave, duke pasur parasysh se të dyja vendet janë pothuajse në të njëjtin nivel. Drejtuesit e Federatës turke premtuan ndihmë dhe përkrahje të parezervë për Kosovën, për të cilën thonë se gjithmonë ka pasur tretman të veçantë.Delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës po qëndron në Turqi, ku ndërkohë do ta përcjellë ndeshjen e Superkupës ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, e cila do të zhvillohet më 23 janar në Antalya. 

(Kosova Sot Online )