Gareth Bale paralajmërohet nga Mourinho: Do të luash vetëm nëse e meriton

  • S.A /
  • 25 January 2021 - 10:00
Gareth Bale paralajmërohet nga Mourinho: Do të luash vetëm  nëse e meriton

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, thotë se nuk do t’i japë mundësi kot se koti anësorit Gareth Bale për të luajtur, duke këmbëngulur se uellsiani duhet ta meritojë çdo shans që i jepet në klub.

Bale iu bashkua Tottenhamit nga Real Madridi në verë në një marrëveshje huazimi, por ka dështuar ta gjejë veten në klubin ku bëri emër.

Ai nuk ia ka dalë të ketë kurrfarë ndikimi në skuadrën e Mourinhos, duke i bërë vetëm 11 paraqitje gjithë sezonin.

Bale i ka bërë vetëm katër paraqitje në Premierligë, por ka luajtur më shpesh në Ligën e Evropës.

E për të luajtur më shumë, Mourinho thotë, Bale duhet ta meritojë si çdo lojtar tjetër.

“Nuk mund t’u jap lojtarëve minuta për të luajtur. Minuta në fushë nuk është diçka që unë mund ta jap”, tha Mourinho.

“Të gjithë ne i dimë vështirësitë që ai i kishte në dy sezonet e fundit, të gjithë ne e dimë se ai erdhi i lënduar, të gjithë ne e dimë se edhe këtë sezon ai ka pasur disa ulje dhe ngritje me gjërat të vogla”, shtoi ai.

“Ai është gati për t’i merituar minutat, jo për t’ia falur minutat. Ky është dallimi për mua”, nënvizoi ai.

(Kosova Sot Online )