Presidenti i Atleticos: Jemi me fat që e kemi Suarezin

  • E.K /
  • 25 janar 2021 - 14:24
Presidenti i Atleticos: Jemi me fat që e kemi Suarezin

Enrique Cerezo, presidenti i Atleticos së Madridit, në fund të ndeshjes që skuadra e tij e fitoi ndaj Valencias, foli për Movistar, duke theksuar se fati deshi që qendërsulmuesi më i mirë në Europë, Luiz Suarez, të bëhej pjesë e “Los Colchoneros”.

Uruguaiani, në fakt, duhet t’i këtë bërë të pendohen drejtuesit e Barcelonës, që ngulmuan ta largonin në merkaton e verës. 34-vjeçari kryeson listën e golashënuesve të LaLigas me 12 finalizime (sa En Nesyri i Sevillas), pa harruar faktin se ka dhënë edhe dy pasime vendimtare për gol.

“Ne gjithmonë kemi menduar se Luis Suárez ishte qendërsulmuesi më i mirë në Europë. Jemi me fat që ai është me ne dhe të gjithë janë të lumtur,” – deklaroi Cerezo.

Me 44 pikë të grumbulluara (7 më shumë se Reali) në 18 ndeshje (ka luajtur një më pak se “Los Blancos”), titullin kampion mund ta “dorëzojë” vetë Atletico.

“Mund ta humbësh apo fitosh, ne jemi në mes të LaLigas, janë shumë ndeshje për t’u zhvilluar. Jemi të parët, por është ende rrugë e gjatë. Kur të kenë mbetur tri javët e fundit mund ta them nëse do të jemi kampionë. Ekipi është i mirë dhe lojtarët e dinë se çfarë duhet të bëjnë, të shënojnë gola dhe fitojnë ndeshjet”.

Suarez po shënon golat të rëndësishëm, por po me kaq vlerë është edhe Joao Felix, të cilit nuk i pëlqeu vendimi i Simeones për ta zëvendësuar në sfidën e Valencian.

“Askush nuk dyshon që Joao Félix është një lojtar i shkëlqyeshëm. Nëse tekniku vendos ta zëvendësojë, do të ketë një arsye, por ai nuk ka pse të zemërohet apo mërzitet. As lojtarët, as trajneri, as tifozët nuk dëshirojnë të humbin, dhe kur humb çmendesh.”

(Kosova Sot Online)