Xhaka: 3 gola dhe 3 pikë, vazhdojmë kështu

  • S.A /
  • 27 January 2021 - 12:49
Xhaka: 3 gola dhe 3 pikë, vazhdojmë kështu

Granit Xhaka dëshiron që Arsenali ta vazhdojë ecurinë e rezultateve pozitive në Premierligë, në përpjekje për ta arritur synimin, përfundimin e sezonit në top katërshe.

Arsenali e bëri edhe një hap tjetër drejt topkatershes, duke e mposhtur 3:1 Southamptonin të martën.

Golat nga Nicolas Pepe, Bukayo Saka dhe Alexandre Lacazette shënuan për t’ia siguruar skuadrës së Mikel Artetës fitoren e pestë në gjashtë ndeshje, e cila i dërgon topçinjtë në pjesën e sipërme të tabelës për herë të parë që prej muajit nëntor.

Arsenali është vetëm pesë pikë larg vendit të katërt tani, i cili mbahet nga Ëest Hami tani për tani.

Mesfushori i Zvicrës, me prejardhje nga Kosova, luajti rol edhe në këtë triumf si në gjashtë fitoret e kaluara, duke kontribuar me një asist.

 “3 gola dhe tri pikë. Tani ta vazhdojmë këtu ecuri në ligë”, shkroi Xhaka në rrjetet sociale pas ndeshjes.

Kjo ishte paraqitja e gjashtë e Xhakës si titullar për skuadrën e Mikel Artetës, që prej pezullimit për kartonin e kuq që e kishte marrë në humbjen kundër Burnley, e cila doli të ishte pikë kthese për vetë lojtarin dhe klubin.

I mahnitur me paraqitjet e përfaqësuesit dhe kapitenit të Kombëtares së Zvicrës gjatë kësaj kohe kishte mbetur edhe trajneri i vet në Arsenal, Mikel Arteta, i cili tha ditë më parë se ndihet i lumtur me mënyrën sesi Xhaka u rikthye nga kartoni i kuq.

 “Mendoj se ai ka qenë fenomenal që prej rikthimit nga kartoni i kuq. Ai po luan shumë, shumë mirë. Kundër Palace, ai i kishte disa çaste të rëndësishme dhe ende është i ri. Ai është lojtar që mund të përmirësohet akoma. Është shumë mirë për ne që na është rikthyer ai”, kishte thënë Arteta.

28-vjeçari nga Podujeva i ka zhvilluar 23 ndeshje për Arsenalin në të gjitha garat deri tani këtë sezon, duke e shënuar një gol. 

(Kosova Sot Online )